Shpataraku mohon se njihte Agasin, policia dokumentoi hyrjen në kompleksin e vilave në Durrës

Aktualitet | 37 minuta më parë

Ish-drejtori i Policisë së Elbasanit, Uljan Shpataraku, ka mohuar të ketë pasur dijeni se biznesmeni Ergys Agasi, i cili u arrestua në makinën e tij, ishte person në kërkim.

Në dëshminë e dhënë para hetuesve, Shpataraku ka deklaruar se e kishte marrë Agasin në makinë pasi ky i kishte bërë autostop në rrugën e vjetër të Elbasanit dhe i ishte prezantuar me emrin “Berti”.

Por versioni i tij bie ndesh me të dhënat e vëzhgimit policor. Sipas dosjes, makina e drejtuar nga Shpataraku është parë në orën 11:59 duke hyrë në kompleksin e vilave në Durrës, ku ishte lokalizuar Agasi.

Vetëm tre minuta më vonë, automjeti ka dalë nga parkimi nëntokësor, me një person të dyshuar si Agasi në sediljen e pasagjerit.

Makina është ndjekur deri në zonën e Plepave, ku policia ka ndaluar automjetin dhe ka konstatuar se pasagjeri ishte Ergys Agasi.

Në momentin e arrestimit, Agasit iu sekuestruan një orë “Richard Mille”, katër telefona iPhone, karta bankare dhe një çantë me shuma parash në euro.

Ndërsa Shpatarakut iu gjetën 400 euro dhe 4 mijë e 200 lekë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme