Shpërthim i fuqishëm në një pikë karburanti në Sarandë, plagosen dy punonjës

Një shpërthim ka ndodhur mesditën e sotme në një pikë karburanti në Lagjen Nr. 1 të Sarandës, duke lënë të plagosur dy punonjës.
Sipas informacionit të Sektorit të MZSH-së Sarandë, shërbimi zjarrfikës pas mbërritjes në vendngjarje, konstatuan se zjarri ishte fikur nga punonjësit e pikës së karburantit.
Nga të dhënat paraprake, mësohet se një punonjës po kryente punime me një mjet prerës në ambientet e brendshme të depozitave të karburantit. Shkëndijat e krijuara nga mjeti dyshohet se kanë ndezur avujt e karburantit, duke shkaktuar shpërthimin e pjesës së avullit jashtë depozitave.
Si pasojë e shpërthimit është plagosur F.Pema, 39 vjeç, i cili ndodhej duke punuar brenda depos si dhe F.B., 27 vjeç. Sipas informacionit paraprak, gjendja shëndetësore e 39-vjeçarit raportohet e rëndë.
Nga shpërthimi ka pasur dhe dëme materiale. Autoritetet po hetojnë rrethanat e plota të ngjarjes.
Sarandë/Informacione paraprake
Rreth orës 12:10, në lagjen nr. 1, në një pikë karburanti, dyshohet se gjatë pastrimit të depozitave të gazit ka ndodhur një shpërthim.
Si pasojë, janë dëmtuar dy punëtorë, shtetasit F. P., rreth 40 vjeç dhe F. B., rreth 27 vjeç, të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Nga shpërthimi janë shkaktuar edhe dëme materiale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të rastit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



