Shqipëria kalon në një sistem modern me gjurmueshmëri, monitorim dhe verifikim digjital të produkteve subjekt akcize

Ekonomi | 2 muaj më parë

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (DPD) ka zhvilluar një takim pune me përfaqësues të shoqërisë “ALBTrace CO sh.a.” dhe operatorët ekonomikë të sektorëve të duhanit e pijeve alkoolike, për të analizuar zbatimin e sistemit të ri të përmirësuar të pullave fiskale, i cili ka hyrë në fuqi më 1 korrik 2026.

Reforma përfshin integrimin e elementeve fizike të sigurisë me teknologjinë digjitale. Çdo pullë fiskale tashmë pajiset me një identifikues unik digjital, duke mundësuar lidhjen e drejtpërdrejtë me të dhënat e produktit dhe monitorimin e plotë gjatë të gjithë ciklit të qarkullimit në treg.

Gjatë takimit, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, nënvizoi domosdoshmërinë e një bashkërendimi sa më efektiv mes autoriteteve dhe bizneseve.

“Modernizimi i administrimit të pullave fiskale duhet të sjellë njëkohësisht më shumë eficiencë në proceset e operatorëve ekonomikë dhe forcim të kontrollit e të gjurmueshmërisë së produkteve subjekt akcize.”, tha ai.

Sistemi i ri lehtëson gjithashtu procedurat teknike për bizneset. Ndërsa më parë prerja e pullave të duhanit bëhej nga vetë operatorët përmes palëve të treta, tashmë ALBTrace CO sh.a. i ofron ato të prera dhe të gatshme për aplikim, duke ulur kostot operative. Gjithashtu, procesi i miratimit të porosive nga Dogana thjeshtohet, me një afat të përcaktuar prej dy ditësh pune nga marrja e kërkesës në sistem.

Një risi e rëndësishme e këtij kuadri është përfshirja e drejtpërdrejtë e qytetarëve në verifikimin e tregut. Përmes aplikacionit mobil “ALBConnect”, konsumatorët mund të skanojnë pullën e produktit për të kontrolluar autenticitetin e tij në kohë reale dhe për të raportuar rastet e dyshimta të falsifikimit. DPD njoftoi se do të vijojë dialogun me operatorët dhe do të organizojë cikle trajnimi për subjektet që hasin vështirësi teknike gjatë procesit të aktivizimit digjital.

  • Risitë kryesore të sistemit të ri të pullave fiskale

    • Identifikuesi unik digjital: Çdo pullë fiskale përmban një kod digjital të vetëm që lidhet me të dhënat specifike të produktit (alkool, duhan, etj.).
    • Aktivizimi në rul e digjital: Mundësi për aktivizim të shpejtë në sistem përmes skanimit të pullës së parë dhe të fundit të intervalit të përdorur.
    • Thjeshtimi i procesit të duhanit: Pullat ofrohen të prera dhe të gatshme nga kompania furnizuese, duke eliminuar koston e përpunimit nga operatorët.
    • Aplikacioni “ALBConnect”: Mjet publik falas për konsumatorët për të verifikuar nëse produkti është origjinal apo i falsifikuar si dhe për të dërguar sinjalizime direkte.
    • Miratim i shpejtë administrativ: Autoriteti doganor detyrohet të shqyrtojë dhe miratojë porositë e pullave brenda 2 ditëve pune.

    /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme