Rama publikon pamjet nga stadiumi “Myslim Koçi”: Rilindja e impiantit në Gramsh drejt përfundimit

Aktualitet | 45 minuta më parë

Stadiumi “Myslim Koçi” në Gramsh po shkon drejt përfundimit të plotë të rikonstruksionit, duke u transformuar në një impiant modern që shumë shpejt do të jetë në dispozicion të ekipeve, akademive dhe sportdashësve të qytetit.

Punimet kanë hyrë në fazën e fundit, ndërsa aktualisht po vijon shtrimi i tapetit të ri të fushës, një nga proceset përmbyllëse të projektit.

Kryeministri Rama ka ndarë disa pamje në rrjetet sociale ku shihet se po kryhet puna për shtrimin e tapetit të ri të fushës.

“Mirëmëngjes dhe me stadiumin ‘Myslim Koçi’ në Gramsh, ku puna për rilindjen e tij është drejt përfundimit, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Stadiumi ka marrë formën e tij të re dhe po kompletohen detajet e fundit përpara se të jetë gati për zhvillimin e aktiviteteve sportive.

Paralelisht me punimet në fushë, po kryhet edhe mobilimi i ambienteve të brendshme të stadiumit. Hapësirat që do t’u shërbejnë futbollistëve, trajnerëve dhe stafit teknik po pajisen me infrastrukturën e nevojshme, duke krijuar kushte moderne dhe funksionale për zhvillimin e aktivitetit sportiv.

Me përfundimin e ndërhyrjeve të fundit, stadiumi “Myslim Koçi” pritet të hapë së shpejti dyert për ndeshjet dhe aktivitetet sportive, duke rikthyer futbollin në një impiant tërësisht të rinovuar dhe në përputhje me standardet bashkëkohore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme