Studioja prestigjioze “Bjarke Ingels Group” (BIG) shpallet fituese e konkursit ndërkombëtar për “Tirana Fountain Tower”

Aktualitet | 37 minuta më parë

Studioja e njohur ndërkombëtare e arkitekturës “Bjarke Ingels Group” (BIG) është shpallur zyrtarisht fituese e konkursit ndërkombëtar për transformimin e kompleksit të ish-“Tajvanit” dhe rikonceptimin e hapësirës në Parkun Rinia, një nga zonat më strategjike në qendër të Tiranës.

Juria ndërkombëtare vlerësoi unanimisht propozimin e paraqitur nga BIG, duke e cilësuar atë si një qasje të integruar që ndërthur vizionin urban, zgjerimin e hapësirave të gjelbra dhe lidhjen organike të parkut me strukturën e qytetit. Forma e skulpturuar e projektit u veçua për mënyrën se thekson identitetin e zonës dhe ofron pamje të pandërprera, ndërsa strategjia e peizazhit u vlerësua për forcimin e bio-larmisë dhe karakterit ekologjik.

Konkursi ndërkombëtar dhe pesë alternativat e arkitekturës botërore

Konkursi për projektin e njohur si “Tirana Fountain Plaza” (ose “Tirana Fountain Tower”) solli në kryeqytet pesë alternativa të avancuara arkitektonike, të hartuara nga emra të shquar të skenës globale. Procesi përfshiu studio prestigjioze si:

  • BIG – Bjarke Ingels Group (Danimarkë) – Studio fituese
  • Barozzi Veiga (Spanjë)
  • Cobe (Danimarkë)
  • l’AUC (Francë)
  • JDSA – Julien De Smedt Architects (Francë)

Projektet e paraqitura u studiuan me kujdes për të ripërcaktuar zhvillimin e pronës ku ndodhet kompleksi ekzistues, duke marrë në konsideratë pozicionin e veçantë brenda Parkut Rinia dhe raportin e drejtpërdrejtë me hapësirën publike.

Vizioni i ri urban dhe hapësirat për qytetarët

Gjatë prezantimit të propozimeve, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, u theksua rëndësia e përfshirjes së studiove dhe profesionistëve ndërkombëtarë në projektet me ndikim kyç në zhvillimin urban të vendit.

Juria vuri në dukje se projekti fitues i grupit BIG ofron zgjidhje të qarta përmes:

  • Qartësisë urbane dhe mjedisore, komunikim transparent i aspekteve arkitekturore që e bëjnë ndërhyrjen lehtësisht të kuptueshme.
  • Maksimizimit të hapësirës publike, zbatimi i matur i programeve që i kthejnë më shumë sipërfaqe qytetarëve.
  • Lidhshmërisë së zones, pasurimi i rrugëve pedonale, zgjerimi i parkut drejt lagjeve përreth dhe forcimi i boshteve lëvizëse ndërmjet natyrës dhe strukturës urbane.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme