Suedia do të vendosë sistemet Patriot në Poloni për mbrojtjen e korridorit të ndihmës për Ukrainën

Suedia ka njoftuar se do të vendosë sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot dhe rreth 100 ushtarakë në Poloni gjatë muajit dhjetor, me qëllim mbrojtjen e qendrës logjistike të NATO-s në Rzeszów, e cila shërben si korridori kryesor për dërgimin e ndihmës ushtarake dhe humanitare drejt Ukrainës.
Vendimi u bë publik nga kryeministri suedez, Ulf Kristersson, disa ditë pasi Stokholmi njoftoi se avionët luftarakë Gripen do të patrullojnë hapësirën ajrore polake duke filluar nga tetori.
“Detyra e avionëve Gripen dhe e sistemit Patriot është mbrojtja e qendrës logjistike të NATO-s në Rzeszów. Ne duam të sigurohemi që pajisjet e rëndësishme të arrijnë në Ukrainë nga të gjitha vendet që e mbështesin atë në mbrojtjen kundër agresionit rus”, deklaroi Kristersson.
Ministri suedez i Mbrojtjes, Pål Jonson, theksoi se shkeljet e përsëritura të hapësirës ajrore të vendeve aleate dhe përpjekjet ruse për të minuar mbështetjen ndaj Ukrainës tregojnë rëndësinë e mbrojtjes së kësaj qendre strategjike.
Nga ana e saj, ministrja e Jashtme suedeze, Maria Malmer, tha se misioni nuk synon vetëm sigurimin e linjave të furnizimit për Ukrainën, por përbën gjithashtu një kontribut të rëndësishëm në forcimin e mbrojtjes dhe parandalimit të NATO-s.
Sistemet Patriot do të qëndrojnë në Poloni deri në mesin e vitit të ardhshëm, duke zëvendësuar bateritë holandeze Patriot, të cilat janë dislokuar në Rzeszów që prej dhjetorit të kaluar.
Komandantja e regjimentit suedez të mbrojtjes ajrore, kolonelja Sofia Westermark, e cilësoi operacionin si “misionin më kompleks që Suedia ka ndërmarrë si aleate e NATO-s”, pas anëtarësimit të vendit në aleancë në vitin 2024.
Ministri polak i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, falënderoi Suedinë dhe Holandën për kontributin e tyre në mbrojtjen e hapësirës ajrore të Polonisë dhe krahut lindor të NATO-s.
“Vazhdimësia e këtij misioni është dëshmi e solidaritetit aleat dhe e përgjegjësisë së përbashkët për sigurinë e rajonit përballë kërcënimit rus. Së bashku jemi më të fortë”, deklaroi ai.
Zëvendësministri polak i Mbrojtjes, Paweł Zalewski, theksoi se sistemet Patriot janë aktualisht ndër mjetet më efektive për mbrojtjen kundër raketave balistike, duke nënvizuar rëndësinë e tyre për sigurinë e qendrës së Rzeszówit, përmes së cilës kalon rreth 90% e ndihmës ndërkombëtare për Ukrainën.
Vendimi i Suedisë vjen në një kohë të rritjes së shqetësimeve për sigurinë në krahun lindor të NATO-s. Gjatë muajve të fundit, Polonia ka raportuar incidente të shumta që përfshijnë raketa, dronë dhe mjete ajrore ruse pranë ose brenda hapësirës së saj ajrore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



