Sulmet izraelite, OBSH: Spitali Nasser në Gaza ka dalë jashtë funksionit

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se spitali Nasser i Gazës ka pushuar së funksionuari pas sulmeve izraelite.
Trupat e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) hynë në kompleks të enjten, duke thënë se inteligjenca tregoi se pengjet e marra nga Hamasi po mbaheshin atje. Nga ana e saj, OBSH ka deklaruar se nuk ishte lejuar të hynte në vend për të vlerësuar situatën.
IDF e ka përshkruar operacionin e saj në Nasser si “të saktë dhe të kufizuar” dhe ka akuzuar Hamasin se “përdor në mënyrë cinike spitalet për terror”.
Duke shkruar në X, kreu i OBSH-së Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se “Spitali Nasser në Gaza nuk është më funksional, pas një rrethimi njëjavor të ndjekur nga bastisja e vazhdueshme”.
“Si dje, ashtu edhe një ditë më parë, ekipi i OBSH-së nuk u lejua të hynte në spital për të vlerësuar kushtet e pacientëve dhe nevojat kritike mjekësore, pavarësisht se mbërriti në kompleksin spitalor për të ofruar karburant së bashku me partnerët”, tha Ghebreyesus.
Sipas OBSH-së, ka ende rreth 200 pacientë në spital, ku të paktën 20 duhet të referohen urgjentisht në spitale të tjera për të marrë kujdes shëndetësor; referimi mjekësor është e drejtë e çdo pacienti”
Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza thotë se vetëm katër anëtar të personelit mjekësor kanë mbetur në spital duke u përpjekur të kujdesen për pacientët e mbetur.
Ndërkaq, 11 pacientë mësohet se kishin vdekur për shkak të ndërprerjeve në furnizimin me energji elektrike dhe oksigjen dhe se disa mjekë ishin arrestuar, transmeton BBC.
Nga ana tjetër, ushtria izraelite tha se askush nuk kishte vdekur si rezultat i veprimeve të saj, duke shtuar se trupave të saj u ishte thënë që të mbanin në punë spitalin.
Luftimet janë ndezur rreth spitalit Nasser për javë të tëra, ku Izraeli ka pretenduar vazhdimisht se Hamasi po përdor spitalet, së bashku me shkollat, si baza operative.
Ushtria izraelite thotë se ka vrarë rreth 20 luftëtarë të Hamasit dhe ka sekuestruar armë të shumta në zonën e spitalit.
“Gjatë ditës së kaluar, dhjetëra terroristë u eliminuan dhe sasi të mëdha armësh u kapën”, bëri të ditur IDF. Të paktën 1200 njerëz u vranë gjatë sulmeve në Izrael nga persona të armatosur të udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor të vitit të kaluar.

Si kundërpërgjigje, Izraeli nisi një fushatë ushtarake në Rripin e Gazës. Më shumë se 28,400 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë dhe më shumë se 68,000 janë plagosur që nga fillimi i luftës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




