“Swifterature”, Universiteti belg nis kursin për të analizuar tekstet e Taylor Swift

Poezia, proza dhe tani shkrimi i këngëve: Universiteti Ghent në Belgjikë po fillon një kurs të ri letërsie kushtuar meritës letrare të teksteve të këngëve të Taylor Swift. Këtë vjeshtë, kursi “Literatur: Versioni i Taylor”, do të jetë në dispozicion të studentëve, kuruar nga profesoresha Elly McCausland.
McCausland do të krahasojë temat, imazhet dhe përdorimin e gjuhës së yllit të popit me shkrimtarët e mëdhenj, duke përfshirë Charles Dickens dhe William Shakespeare,
“Shumë krijuese dhe autobiografike në shkrimin e këngëve të saj, Swift bën aludime të shpeshta për tekstet letrare në muzikën e saj. Duke përdorur veprën e Swift-it si një trampolinë, ne do të eksplorojmë, ndër tema të tjera, feminizmin letrar, ekokriticizmin, studimet e fansave dhe trope të tilla si anti-heroi. Popullariteti i qëndrueshëm i Swift-it buron, të paktën pjesërisht, nga aspekti shumë ndërtekstual i punës së saj dhe ky kurs do të gërmojë më thellë për të eksploruar rrënjët e tij letrare. Qëllimi i kursit është të mendojë në mënyrë kritike për Swift-in si artiste dhe shkrimtare, dhe të përdorë popullaritetin e muzikës së saj si një rrugë për të hyrë në një korpus të letërsisë që mund të ketë formësuar punën e saj“, shpjegon kursi.
McCausland tha se teksti i këngëve të Swift kishte qenë në mendjen e saj si një temë e denjë për analiza shkencore prej një periudhe të gjatë kohe, por që u kristalizua me publikimin e albumit të fundit të Swift “Midnights” vjeshtën e kaluar.
“Ka një këngë atje të quajtur ‘Lufta e Madhe’, e cila përdor Luftën e Parë Botërore si një analogji për thyerjen e zemrës… Kjo më bëri të mendoj për poezinë e Sylvia Plath “Babi”, në të cilën ajo përdor Holokaustin për të diskutuar marrëdhënien e saj të trazuar me babanë. Ky përvetësim i dhimbjes historike dhe i luftës si një metaforë (për dashurinë dhe humbjen). Fillova të mendoj për paralele të tjera letrare dhe ja ku erdhi kursi”, shpjegoi McCausland.
Ndërsa besohet të jetë kursi i parë i këtij lloji në Evropë, refrenet poetike të Swift-it tashmë po mësohen nga disa kolegje në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Swift nuk është superylli i parë, puna e së cilës ka tërhequr vëmendjen akademike. Në vitin 2016, Universiteti i Teksasit nisi një kurs të Letërsisë Angleze duke zbërthyer albumin vizual të Beyonce “Lemonade” dhe lidhjen e tij me feminizmin./ CNN
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




