Të shtëna me armë gjatë kontrolleve për kanabis në Krujë, policia sqaron ngjarjen

Të shtëna me armë zjarri kanë alarmuar grupet e Policisë gjatë një operacioni për kontrollin e territorit dhe parandalimin e kultivimit të kanabisit në zonën e Cudhit, në Krujë.
Sipas Policisë së Shtetit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:30, në një zonë të pyllëzuar malore të Njësisë Administrative Cudhi. Një punonjës policie, pjesë e një grupi kontrolli, ka qëlluar në ajër me armën e zjarrit, me qëllim largimin e rrezikut nga kafshët e egra.
Në momentin e të shtënave, grupet e tjera të kontrollit nuk kishin komunikim për shkak të mungesës së sinjalit telefonik. Për këtë arsye, sipas Policisë, ato dyshuan fillimisht se të shtënat mund të ishin shkaktuar nga ndonjë person.
Pas verifikimit të situatës, rasti është sqaruar dhe është kryer dokumentimi ligjor përkatës.
Ndërkohë, kontrollet në territor kanë vijuar në territorin e Krujës, ku janë konstatuar dhe asgjësuar rreth 300 bimë kanabis.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




