Tentativa e mashtrimit ndaj Armand Dukës, zbardhen dëshmitë e dy të arrestuarve

Orest Balla, i arrestuar për tentativën e mashtrimit ndaj presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, duke u shtirur si deputeti Taulant Balla, ka dhënë dëshminë e tij para hetuesve.
Gazetarja Flutura Tota bën me dije se sipas deklarimeve të tij, Balla ka pretenduar se kishte marrë një mesazh në Instagram nga një person i panjohur, i cili i kishte premtuar 2 mijë euro në këmbim të komunikimit me një person tjetër. Ai ka deklaruar se më pas një person i kishte shkuar me makinë dhe i kishte dhënë një numër telefoni. Përmes këtij numri, Balla ka komunikuar me një person që ai mendonte se ishte djali i Armand Dukës, por që në fakt rezultoi të ishte një agjent policie i infiltruar në hetim.
Balla ka mohuar gjithashtu se kishte njohje të mëparshme me të arrestuarin tjetër, Edison Korra. Ndërkohë, Edison Korra ka dhënë një tjetër version për mënyrën se si është përfshirë në ngjarje. Sipas dëshmisë së tij, ai është kontaktuar nga Orest Balla në një lokal, ku ky i fundit i kishte kërkuar të merrte një porosi.
Dëshmitë e dy të arrestuarve para hetuesve nuk përputhen me njëra-tjetrën. Për këtë arsye, grupi hetimor dyshon se ata mund të mos kenë treguar të gjithë të vërtetën mbi rrethanat dhe mënyrën se si janë përfshirë në tentativën e mashtrimit.
Ndërkohë, nga hetimet dyshohet se komunikimi i drejtpërdrejtë me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, është kryer nga një person tjetër përmes mesazheve në aplikacionin e komunikimit Signal.
Hetimet vijojnë për të zbardhur rolin e secilit person të përfshirë dhe për të identifikuar personin që dyshohet se ka komunikuar drejtpërdrejt me Armand Dukën.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




