Tiranë/ Goditet skema e mashtrimit online, 4 në pranga dhe një në kërkim

Aktualitet | 43 minuta më parë

Një tjetër rast i dyshuar mashtrimi përmes platformave online është goditur në Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “INVESTING”. Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, kanë ndërhyrë në një ambient në rrugën e Kavajës, i cili ishte përshtatur me poste pune.

Sipas Policisë, në ambient u kapën në flagrancë pesë persona, të cilët dyshohet se mashtronin shtetas të vendeve të ndryshme të Bashkimit Europian përmes platformave online. Nga hetimet paraprake rezultoi se ambienti ishte në pronësi të shtetasit T. B., 45 vjeç, i cili dyshohet se, në bashkëpunim me personat e tjerë, e administronte atë për zhvillimin e kësaj veprimtarie. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, policia arrestoi shtetasit E. Xh., 40 vjeç, G. N., 42 vjeç, E. D., 32 vjeç dhe E. H., 31 vjeç.

Ndërkohë, T. B., 45 vjeç, është shpallur në kërkim, ndërsa shtetasja E. A., 23 vjeçe, po procedohet në gjendje të lirë. Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 13 njësi kompjuterike, 19 aparate celularë, 7 laptopë, si dhe materiale të tjera që dyshohet se lidhen me aktivitetin e paligjshëm.

Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë së dyshuar. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme