Tjetërsimi i 1143 hektarëve tokë në Fier, thellohet operacioni “Stolen Land”, ekzekutohen masa të reja sigurie
Aksioni policor për goditjen e tjetërsimit të paligjshëm të pronave në qarkun e Fierit është zgjeruar me ekzekutimin e masave të reja të sigurisë, duke çuar në pranga zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK). Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, kanë finalizuar fazën e dytë të operacionit të koduar “Stolen Land”.
Në kuadër të këtij hetimi, që ka vënë në sekuestro preventive mbi 76 pasuri me një sipërfaqe totale prej rreth 1143 hektarësh tokë dhe një shumë prej 150 mijë eurosh, janë caktuar masa sigurie për shtetasit e përfshirë në skemën e tjetërsimit.
Përmes një njoftimi zyrtar, DVP Fier bëri me dije se Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare ka ekzekutuar tre masa të reja sigurie:
- E. H., 49 vjeç, banues në Vlorë, ndaj të cilit është caktuar masa “Arrest në burg”;
- E. Sh., 46 vjeç, banues në Tiranë (ish-drejtor i ASHK Fier), ndaj të cilit është ekzekutuar masa e dytë e sigurisë “Arrest në burg”;
- E. R., 40 vjeç, banues në Fier (ish-topograf pranë ASHK-së), ndaj të cilit është caktuar masa “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.
Skema e falsifikimit dhe rolet e zyrtarëve të ASHK-së
Sipas hetimeve të kryera përmes përdorimit të metodave proaktive, shtetasi K.H. (i dyshuar si përfituesi kryesor i pronave) ka paraqitur dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Fier. Përmes këtyre dokumenteve pa vlerë ligjore, ai ka arritur të regjistrojë në bashkëpronësi me katër persona të tjerë sipërfaqen prej 1143 hektarësh tokë në zonat kadastrale 3301 dhe 3358, përkatësisht në Seman i Ri dhe Sheq Marinas.
Hetimi ka zbuluar se ish-drejtuesit e ASHK Fier, E.Sh. dhe B.K., në bashkëpunim me specialistin e juristin P.Ç., kanë regjistruar pronat në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Zyrtarët nuk kanë kryer verifikimet e detyrueshme pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronës, çka do të kishte zbuluar menjëherë falsifikimin e titujve të pronësisë.
Përveç mospërputhjeve ligjore, hetimi vëne në dukje shkelje të tjera administrative e penale si tejkalimi i sipërfaqes, ish-drejtori B.K. dyshohet se gjatë regjistrimit të një pasurie në zonën 3358 ka tejkaluar edhe sipërfaqen që parashikohej në vetë vendimet e falsifikuara; ndryshimi i zërit kadastral, ku shtetasit E.Sh. dhe P.Ç. kanë ndryshuar kategorinë e tokës nga “tokë arë” në “tokë pa frut” pa pasur asnjë akt administrativ nga Këshilli i Ministrave, Ministria e Bujqësisë apo Drejtoria e Administrimit të Tokës pranë Qarkut Fier.
Përdorimi i prokurave të falsifikuara dhe hetimet e mëtejshme
Nga dokumentimi procedurial rezulton se pasi ka regjistruar tokën në emër të tij dhe bashkëpronarëve të tjerë, shtetasi K.H., përmes një prokure të posaçme gjithashtu të falsifikuar, ua ka shitur sipërfaqet dy shoqërive të ndryshme tregtare.
Gjykata e Fierit ka caktuar masën “Arrest në burg” për tre personat kyç të këtij procedimi: dy ish-drejtorët e ASHK Fier, E.Sh. dhe B.K., juristin P.Ç., ndërsa përfituesi K.H me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Ata akuzohen për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier. Hetimet vijojnë për zbardhjen e rasteve të tjera të mundshme të fshehjes së të ardhurave e shpërdorimit të detyrës, si dhe për dokumentimin e përfshirjes së personave të tjerë në këtë skemë tjetërsimi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



