Akuzohen se falsifikuan dokumentet dhe regjistruan 1143 hektarë tokë, në pranga dy ish-drejtorë të ASHK Fier dhe dy persona të tjerë

Katër persona janë arrestuar me kërkesë të Prokurorisë së Fierit, në kuadër të një hetimi për falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe pastrim të produkteve të veprës penale, ndërsa në kuadër të hetimeve janë sekuestruar mbi 76 pasuri me një sipërfaqe totale prej rreth 1143 hektarësh tokë, si dhe 150 mijë euro.
Me kërkesë të Prokurorisë së Fierit, gjykata ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” për shtetasit E.Sh. dhe B.K., në cilësinë e ish-drejtorëve të ASHK Fier, P.Ç., specialist dhe jurist pranë ASHK Fier, si dhe K.H., i dyshuar si përfituesi i pronave.
Katër personat dyshohen për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 186/2, 248 dhe 287, paragrafi 2, i Kodit Penal.
Sipas Prokurorisë së Fierit, hetimi, i zhvilluar në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier dhe përmes përdorimit të metodave proaktive, ka zbardhur një skemë të dyshuar të përfitimit dhe regjistrimit të paligjshëm të sipërfaqeve të konsiderueshme toke.
Nga hetimet ka rezultuar se K.H. dyshohet se ka paraqitur si tituj pronësie dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Fier.
Në bazë të këtyre dokumenteve, ai ka arritur të regjistrojë në bashkëpronësi të tij dhe të katër personave të tjerë një sipërfaqe prej 1143 hektarësh tokë, në zonat kadastrale 3301 dhe 3358, në Seman i Ri dhe Sheq Marinas, Fier. Në kuadër të hetimit është sekuestruar gjithashtu shuma prej 150 mijë eurosh.
Sipas organit të akuzës, pasi është regjistruar si bashkëpronar dhe përfaqësues i bashkëpronarëve të tjerë, K.H. dyshohet se, përmes një prokure të posaçme të falsifikuar, ua ka shitur tokën dy shoqërive të ndryshme.
Prokuroria dyshon se ish-drejtorët e ASHK Fier, E.Sh. dhe B.K., si dhe specialisti dhe juristi P.Ç., kanë regjistruar pasuritë në fjalë në bashkëpronësi të K.H., në kundërshtim me legjislacionin për kadastrën dhe për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë.
Sipas hetimeve, zyrtarët e ASHK-së nuk kanë kërkuar konfirmimin e vendimeve të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Fier nga Agjencia e Trajtimit të Pronës. Sipas Prokurorisë, ky verifikim do të kishte evidentuar se vendimet e përdorura si tituj pronësie ishin të falsifikuara.
Hetimi ka evidentuar gjithashtu se B.K., në cilësinë e ish-drejtorit të ASHK Fier, gjatë regjistrimit të një prej pasurive në zonën kadastrale 3358, dyshohet se ka tejkaluar edhe sipërfaqen që ishte parashikuar në një prej vendimeve të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Për pasojë, sipas Prokurorisë, K.H. ka përfituar edhe një sipërfaqe tjetër të konsiderueshme toke.
Ndërkohë, gjatë regjistrimit të pasurive, E.Sh. dhe P.Ç. dyshohet se kanë ndryshuar edhe zërin kadastral të tokës, duke e kaluar nga “tokë arë” në “tokë pa frut”, pa ekzistencën e një akti administrativ nga Këshilli i Ministrave, Ministria e Bujqësisë apo Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Fier.
Masat e sigurimit personal dhe pasuror janë ekzekutuar nga shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorive Vendore të Policisë Tiranë dhe Vlorë.
Hetimet për këtë procedim penal vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e përfitimit, regjistrimit dhe tjetërsimit të pasurive të përfshira në këtë çështje.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



