Transporti i mësuesve, në Kukës pritet që zgjidhja përfundimtare të gjendet brenda dhjetorit

Arsim | 11 muaj më parë

Procesi mësimor në të gjitha shkollat e bashkisë Kukës po vijon normalisht. Kështu tha drejtori i Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar, Kreshnik Gerbolli, i cili tha se aktualisht rreth 6100 nxënës ndjekin mësimet në shkollat e bashkisë Kukës.

“Procesi mësimor ka vijuar normalisht në të gjitha shkollat dhe kemi rreth 6100 nxënës ndjekin mësimet në shkollat e bashkisë Kukës”, tha Gerbolli.

Megjithatë, drejtori Gerbolli theksoi se sfidë mbeten disa zona të thella, ku mësuesit e rinj të portalit nuk mund të shkojnë për shkak të largësisë.

“Problem dhe sfidë mbetën zonat e thella malore ku nuk çojmë dot mësues të portaleve për shkak të largësisë së madhe që kanë nga qendra administrative, por aty vijojnë mësuesit që kanë vite që japin mësim”, tha ai.

Një tjetër çështje që po trajtohet është transporti i mësuesve. Gerbolli tha se aktualisht tenderimi i transportit është zgjidhur përmes rimbursimit të biletës për mësuesit që udhëtojnë nga zonat urbane drejt atyre rurale. Ai shtoi se pritet që kjo problematikë të tejkalohet në fillim të dhjetorit.

“Ne kemi vijuar sipas ligjit në fuqi duke bërë rimbursimin e mësuesve sipas VKM në fuqi. Besoj se muaji dhjetor na gjen me transport të rregulluar”, tha Gerbolli.

Bashkia Kukësit ka 25 shkolla, nga të cilat 15 shkolla 9-vjeçare, 2 shkolla të mesme dhe 8 shkolla të bashkuara.

Gazetare: Matilda Dokle

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme