Tre të arrestuar për zjarrvënie, flakët kërcënuan banesa dhe sera
Tre persona janë vënë në pranga nga Policia e Fierit dhe e Lushnjës, pasi dyshohen se kanë shkaktuar vatra zjarri që kanë rrezikuar banesa, toka bujqësore dhe sipërfaqe të tjera në këto zona.
Sipas Policisë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin D.D., 31 vjeç, banues në fshatin Pojan.
Ai dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij, por për shkak të erës flakët janë përhapur me shpejtësi, duke rrezikuar banesa dhe sipërfaqe të mëdha toke pranë Parkut Arkeologjik të Apolonisë.
Ndërkohë, në Lushnjë u arrestuan dy persona të tjerë. Në pranga ra A.S., 56 vjeç, i cili dyshohet se ka ndezur zjarr në servisin e tij. Si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur pjesë automjetesh dhe pemë ulliri në pronësi të një shtetasi tjetër.
Po ashtu, u arrestua edhe D.G., 49 vjeç, banues në fshatin Golem, Lushnjë, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr për djegien e mbeturinave në tokën e tij. Flakët dolën jashtë kontrollit duke përfshirë një sipërfaqe toke me bimësi të egër, kanale vaditëse dhe duke rrezikuar disa sera në afërsi.
Policia bën me dije se falë ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve policore dhe forcave zjarrfikëse, vatrat e zjarrit u neutralizuan pa shkaktuar dëme në banesa apo rrezikuar jetën e banorëve.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier u ka bërë apel qytetarëve të shmangin djegien e mbetjeve bujqësore dhe çdo praktikë që mund të shkaktojë përhapje të pakontrolluar të zjarreve, duke theksuar se pasojat mund të jenë të rënda për jetën e njerëzve, pronën dhe mjedisin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




