Turizmi në Vlorë, Dredha: Kemi më shumë plazhe publike se private. Fokusi, pastërtia dhe shërbimet. Të mos abuzohet me çmimet

Turizëm | 1 vit më parë

Vlora vijon të mbetet një nga destinacionet kryesore të verës, jo vetëm për plazhet dhe klimën, por edhe për mundësinë që ofron për një turizëm cilësor. Vlora ofron jo vetëm bukurinë natyrore të bregdetit, por edhe një gamë të gjerë aktivitetesh kulturore, argëtuese dhe gastronomike.

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, në një intervistë për “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, tha se sezoni ka nisur zyrtarisht më 17-18 maj, por fluksi i turistëve ka qenë i ndjeshëm që prej muajit mars.

“Kemi pasur një rritje të vizitorëve që nga muaji mars. Aktivitetet, koncertet dhe panairet do të vijojnë deri në fund të gushtit. Në fillim të gushtit do të kemi DJ të famshëm, ndërsa kemi përgatitur edhe një panair të gastronomisë,” u shpreh Dredha.

Dredha bëri të ditur se Bashkia ka në fokus përmirësimin e shërbimeve dhe pastërtisë së qytetit, ndërsa paralajmëron operatorët për kujdes me rritjen e çmimeve.

“Si sezon ka nisur shumë mirë, ne jemi fokusuar shumë te pastërtia dhe shërbimet, por edhe oferta turistike që ka Vlora dhe ushqimi. Investimet në Vlorë nuk janë bërë vetëm në Lungomare, por janë të gjithanshme. Gjithashtu së shpejti do të kemi edhe një aeroport dhe kjo do të thuhej edhe ritualin që Vlora ka jetë vetëm 4-5 muaj dhe muajt e tjerë bie disi. Infrastruktura lidhëse e bën shumë të lehtë për turistët që të lidhen shpejt me pjesët  e tjera të jugut të vendit. Jemi duke shtuar investimet në hoteleri pasi ka kërkesë të lartë. Duhet të jemi të vëmendshëm që të ofrojmë më të mirën për turistët. Oferta është e shumëllojshme në Vlorë që nga ato më të mirat deri tek të shtrenjtat. Ka një tendencë vjet për të pasur rritje çmimet sidomos të stacionet e plazheve dhe çadrat dhe restorantet por duhet të jemi shumë të kujdesshëm se mund të kthehet në bumerang në momentin që bëhesh abuziv me çmimet ti humbet në afatgjatë gjithë këtë prurje. Këtë vit nuk kemi një tendencë shqetësuese”, tha kryebashkiaku.

Qytetit përballet ende me sfida të vjetra si furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë dhe trajtimi i mbetjeve urbane, ku Dredha tha se situatat janë drejt përmirësimit, por se ka ende shumë punë për të bërë. Gjithashtu kryebashkiaku apeloi për më shumë ndërgjegjësim nga qytetarët për të mbajtur qytetin të pastër dhe për të shmangur dëmtimin e imazhit në rrjetet sociale.

“Këto janë problematika që shoqërojnë Vlorën prej vitesh. Sa i përket ujit kemi pasur edhe një problematikë me ujësjellësin. Prej dy vitesh, Bashkia nuk menaxhon ujësjellësin, por ne kemi për detyrë t’i kërkojmë llogari si administrues të territorit dhe ankesave të qytetarëve. Ka pasur një problematikë te investimet e ujësjellësit, por sot situata është më mirë dhe shpresojmë të vijojë kështu gjithë sezonit.

Lidhur me menaxhimin e mbetjeve ka shpesh rrezik për aktivizim të vatrave të zjarrit. Shpesh ka dëmtim të imazhit sidomos në rrjetet sociale të momenteve që nuk na bëjnë krenar apo ndikojnë në hezitimin e  atyre që të mos e zgjedhin Vlorën si destinacion turistik. Ne këtë moment mediet duhet të jenë pak më ndihmues dhe jo të shesin imazh të keq për vendin tonë se nuk e meritojmë. Po merremi me kapsulimin e fushë së vjetër deri sa të kapsulohet në mënyrë profesionale nga Banka Gjermane për Zhvillim që ka pjesë të kontratën në Bashkinë e Vlorës që ta bëjë këtë gjë.

Kemi vendosur në funksion landfillin e Sherishtës, ku të gjithë mbetjet urbane të shkojnë atje. Ndërkohë që fusha e vjetër të përdoret vetëm për mbetjet e ngurta. Popullata duhet të ndërgjegjësohet që të jenë pjesë e një qyteti të pastër dhe jo të hedhin mbeturina ku të munden”, u shpreh ai.

Për herë të parë, këtë verë, plazhet publike në Vlorë kanë përqindje më të lartë se ato private, veçanërisht në zonën e Zvërnecit, ku Bashkia ka vendosur çadra në shërbim të qytetarëve.

“Plazheve publike i është dhënë më shumë prioritet. E gjithë pjesa e Zvërnecit është pothuajse e gjitha publike se në atë zonë nuk ka hotele. Po në vitet më parë ka qenë zonë e marrë me kontrata dhe plazhe publike. Bashkia ka marrë çadra me qira dhe i ka vendosur në dispozicion të njerëzve në plazhet publike. Për herë të parë jemi më shumë përqindje plazh publik se sa plazh privat për herë të parë”, tha Dredha.

Në dhjetë vitet e fundit, në Vlorë janë investuar mbi 600 milionë euro, ndërsa së shpejti qyteti pritet të ketë edhe aeroportin e vet, me synimin që sezoni turistik të zgjatet në 12 muaj.  Aktivitete të shumta, panaire dhe koncerte do të mbushin kalendarin e verës deri në fund të gushtit. Në fillim të muajit gusht, Vlora pritet të mirëpresë DJ të njohur ndërkombëtarë, ndërsa gastronomia mbetet një ndër pikat më të forta të ofertës turistike.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme