Turistët preferojnë Airbnb, ky trend evidentohet edhe në Gjirokastër
Gjirokastra është një prej qyteteve që mirëpret çdo ditë turistë, nga vendi dhe shtete të ndryshme të botës.
Pedagogia e ekonomisë, Antoneta Polo u shpreh se vijon trendi i rritjes së numrit të vizitorëve, ku gjatë pesë muajve të pare, qyteti i gurtë ka pritur rreth 64 mijë vizitorë.
“Turizmi këtë vit vazhdon të jetë trend në rritje. Nëse i referohemi të dhënave të Drejtorisë së Monumenteve të Kulturës Gjirokastër, numri i vizitorëve që kanë vizituar kalanë, si objekti kryesor në këtë qytet, për periudhën janar- maj të vitit 2025, është diku 64 mijë vizitorë, një shifër kjo 10 përqind më e lartë se e njëjta periudhë, një vit më parë”, tha Polo.
Pritshmëritë kanë qenë më të larta në krahasim me vitin e kaluar, por Polo thekson se duhet pasur kujdes me çmimet. Ndërkohë që risi për këtë vit janë turistët që preferojnë më tepër Airbnb sesa hotelet.
“Nga bizneset turistike kemi ankesa, nuk po marrin atë që prisnin nga ky turizëm. Kjo ka të bëjë shpesh për atë që ne e konsiderojmë turizmi i lirë, pra turisti nuk shpenzon shumë. Janë më shumë të preferuar Airbnb sesa hotelet, kjo për shkakun e çmimeve të tyre më konkurruese në raport me hotelet.”, theksoi ajo.
Qyteti i gurtë ngelet ndër destinacionet më të kërkuara dhe kryesore, duke u renditur çdo vit si një nga qytetet elitare të turizmit shqiptar.
Gazetare L.Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





