Turizëm elitar dhe infrastrukturë, Gonxhja zbardh takimin me BB: Prioritet uji në zonat turistike dhe standardizimi i destinacioneve

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, zhvilloi sot një takim strategjik me përfaqësuesit e Bankës Botërore, ku në fokus ishte e ardhmja e turizmit shqiptar dhe zbatimi i Strategjisë Kombëtare 2024–2030.
Në qendër të diskutimeve nuk ishin vetëm shifrat e vizitorëve, por zgjidhja e problematikave që shoqërojnë rritjen e shpejtë të sektorit. Ministri Gonxhja bëri me dije se palët janë dakordësuar për nevojën urgjente të ndërhyrjeve në infrastrukturën kritike, duke veçuar përmirësimin e furnizimit me ujë në zonat me fluks të lartë turistik—një sfidë e vazhdueshme gjatë pikut të sezonit veror.
Për të kaluar nga turizmi spontan drejt atij të qëndrueshëm, takimi vuri theksin te nevoja për të dhëna të sakta. Gonxhja njoftoi planin për ngritjen e një sistemi kombëtar të të dhënave të turizmit, i cili do të shërbejë si busull për politikat e zhvillimit.
Gjithashtu, një pikë kyçe e bashkëpunimit me Bankën Botërore do të jetë forcimi i strukturave të Menaxhimit të Destinacioneve (DMO). Kjo synon që zonat turistike të mos jenë thjesht vende vizitash, por destinacione të menaxhuara me standarde, ku përfshihet edhe certifikimi apo standardizimi i aseteve natyrore.
Takimi shërbeu gjithashtu për të rikonfirmuar mbështetjen e Bankës Botërore në zbatimin e Strategjisë së Turizmit 2024–2030.
“Diskutuam avancimin e ndërlidhjes rajonale si komponent kyç për rritjen e kapaciteteve dhe cilësisë në sektor. Vlerësojmë partneritetin e qëndrueshëm me Bankën Botërore, si një aktor kyç në mbështetjen e prioriteteve tona,” u shpreh ministri.
Ky bashkëpunim pritet të përkthehet në projekte konkrete që synojnë ta bëjnë ofertën turistike shqiptare jo vetëm më të larmishme, por edhe më konkurruese në rajon.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



















