Turizmi në Shkodër, rritje edhe këtë sezon, Bashkia bashkëpunim me operatorët turistikë
Edhe ky sezon veror ka konfirmuar rritjen e qëndrueshme të turizmit në Bashkinë e Shkodrës. Sipas të dhënave zyrtare, krahasuar me një vit më parë, këtë sezon është shënuar një rritje prej afro 20% të numrit të netëve të qëndrimit nga turistët vendas dhe të huaj. Drejtuesit e sektorit të turizmit në Bashkinë e Shkodrës theksojnë se ndikim te rëndësishëm ka pasur bashkëpunimin i forcuar me operatorët turistikë, funksionimi sa më efikas i të cilëve vlerësohet si një element thelbësor për një sezon të suksesshëm.
“Në bazë të statistikave zyrtare që ne kemi në Bashki ka një rritje ka një rritje nga viti i kaluar me 20% më shumë dhe kjo tregon që Shkodra çdo vit e më shumë preferohet nga turistët”, u shpreh Renato Lumçi, Drejtor i Turizmit, Bashkia Shkodër.
Një rol të veçantë kanë pasur edhe zyrat e informacionit turistik të Bashkisë Shkodër, të cilat janë shndërruar në një hallkë lidhëse të rëndësishme mes operatorëve turistikë dhe vizitorëve. Këtë vit është vënë re një interes më i madh nga operatorët për të prezantuar ofertat e tyre përmes këtyre zyrave.
“Këtë vit kemi pasur një interes shumë të madh nga operatorët turistik”, u shpreh Imelda Mullimi, Specialiste në Zyrën e Informacionit Turistik, Shkodër.
Bashkia Shkodër, përveç qendrës së informacionit në qytet, ka në funksion edhe dy zyra të tjera turistike në Velipojë dhe Theth. Këto pika shërbimi orientojnë çdo ditë vizitorët, duke u ofruar detaje mbi aktivitetet, guidat dhe atraksionet që ofron rajoni.
Gazetar: A. Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





