Turizmi rural – Turistët zgjedhin qetësinë, natyrën dhe produktet bio
Ditët e gushtit shënojnë numrin më të lartë të vizitorëve edhe në zonat rurale të Gjirokastrës. Në fshatin Asim Zeneli, familja Shuaipaj, e cila prej vitesh pret turistë në shtëpinë e saj, e konsideron këtë muaj si periudhën më të ngarkuar të vitit për pritjen e mysafirëve.
Rezervimet janë të shumta dhe vijnë kryesisht nga turistë të huaj, që zgjedhin të kalojnë disa ditë larg qyteteve të mbushura me zhurmë. Ata tërhiqen nga qetësia, peizazhet natyrore dhe mikpritja tradicionale e banorëve të zonës.
“Ne e pamë bujtinën ku po qëndrojmë në internet dhe gjetëm shumë vlerësime të bukura për këtë shtëpi, prandaj erdhëm këtu. Është shumë bukur mjedisi, fshati i vogël. Mbrëmë isha në qendër të fshatit, në një lokal argëtimi, ku bisedova me vendasit. U ngjitëm me fëmijën dhe bashkëshorten time edhe për të parë Parkun e Antigonës, jemi të impresionuar”, tha turisti.
“Vitin e kaluar kemi qenë në Shqipëri, por nuk pamë shumë, ndaj vendosëm të kthehemi dhe të kalojmë më shumë kohë këtu. Kemi qenë disa herë në male dhe zgjodhëm këtë vend sepse donim të shihnim Gjirokastrën. Erdhëm këtu dje, kështu që ende nuk kemi kaluar shumë kohë. Më pëlqen që është vend kaq mikpritës dhe pamjet janë mbresëlënëse, si edhe fakti që mund të shohësh të gjitha ato fruta që nuk rriten aty ku jetoj unë, siç janë portokallet është e pabesueshme për mua t’i shoh portokallet nga afër, si rriten”, tha turistja.
“Për të gjithë, e di që ne jemi turistë, kështu që është ndryshe, por ne mund të shohim që njerëzit në rrugë e duan njëri-tjetrin dhe sillen mirë me njëri-tjetrin dhe kjo është e mrekullueshme këtu. Mua më pëlqen shumë ushqimi shqiptar, sepse është i mirë, është diçka ndryshe nga ajo që hamë në Poloni”, thotë turisti.
“Kemi qenë në Tiranë 3 ditë, 2 ditë në Shkodër dhe tani kemi ardhur në Gjirokastër. Ky fshat është si pika jonë e nisjes për të vizituar zonat përreth. Këtu ka qetësi, paqe dhe shoqëri të këndshme. Na pëlqeu oferta që gjetëm në internet. Kemi qenë vitin e kaluar, këtë vit po e përsërisim dhe po e thellojmë udhëtimin tonë. Të gjithë na thonë që Shqipëria po ndryshon shumë, dhe ne duam ta shohim”, vlerëson turisti.
“Zgjodhëm fshatin sepse na pëlqen këtu atmosfera, qetësia, natyra, njerëzit janë simpatikë. Është një lloj qetësimi për ne. Këtu, përveçse ka qetësi, ka edhe ushqim bio”, tha turistja.
Shumë prej vizitorëve shprehen se preferojnë të qëndrojnë më gjatë në zonat rurale për të shijuar natyrën, ajrin e pastër dhe produktet bio që u ofrohen direkt nga ferma. Për ta, kjo është një eksperiencë autentike që i afron më shumë me jetën dhe kulturën vendase.
Gazetare: B. Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





