UEFA zgjedh gjyqtar anglez për Shqipëri-Bjellorusi, Samuel Barrot lejon lojën e fortë

Kombëtarja | 44 minuta më parë

Gjyqtarë anglezë për ndeshjen kundër Bjellorusisë, që kuqezinjtë do ta zhvillojnë më 26 shtator në “Air Albania”, e vlefshme për Nations League. I përzgjedhuri i UEFA-s për këtë sfidë është Samuel Barrot, 33 vjeç. Edhe asistentët dhe arbitrat e VAR-it janë po nga Anglia.

Duhet theksuar se Barrot është një nga gjyqtarët me rritjen më të shpejtë në Premier League. Ai është gjyqtar tipik anglez për sa i përket lejimit të lojës pa shumë ndërprerje. Ka debutuar në Premier League në tetor të 2023-shit dhe sezonin 2024/25 u promovua zyrtarisht në Select Group 1 (grupi elitar i arbitrave të Premier League).

Në dhjetor 2024 Barrott u bë zyrtarisht pjesë e listës së arbitrave ndërkombëtarë të FIFA-s (duke zëvendësuar Craig Paëson). Mesatarisht nxjerr 3.5 deri në 3.6 kartonë të verdhë për ndeshje, ndërsa kartonët e kuq të drejtpërdrejtë i ka me shumë kursim. Përveç Premier League, ka gjykuar edhe ndeshje kualifikuese të UEFA-s (Champions League, Europa League, Conference League) si dhe ndeshje ndërkombëtare.

Asistentë në sfidën Shqipëri-Bjellorusi do të jenë Adam Nunn dhe Wade Smith, gjyqtar i katërt Farai Hallam dhe në VAR do të jenë Matthew Donohue dhe Paul Howard.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme