Universiteti i Vlorës dhe programet e reja – Arkitektura për Trashëgimi Kulturore dega e preferuar

Arsim | 1 vit më parë

Arkitektura për Trashëgiminë Kulturore është një nga degët e veçanta në Universitetin e Vlorës, që për herë të parë ka çelur programin trevjeçar të studimeve dhe leksionet do të zhvillohen në gjuhën angleze.

Për Rektoren Aurela Saliaj interes kanë shfaqur edhe studentë të huaj.

“Është një program i cili do të ofrohet në pjesën më të madhe nga pedagogë të Universitetit Politeknik të Barit. Do të zhvillohet dy vitet e para në Universitetin e Vlorës, ndërsa viti i fundit do të përfundohet në Itali dhe do të marrë një diplomë të përbashkët që do të nxjerrë arkitektë me specifika për restaurime të siteve të vendeve historike.”

Masteri në Inxhinieri Armatimi, në bashkëpunim me Akademinë e Forcave të Armatosura, është programi i vetëm në vendin tonë që i hap rrugë një tradite të re akademike që lidh arsimin me sigurinë.

“Kemi interes shumë të lartë për programet e inxhinierisë, inxhinierisë elektrike dhe asaj mekanike. Për herë të parë këtë vit është risi që studentët e inxhinierisë të Universitetit ‘Ismail Qemali’ do të kenë mundësi ta kompletojnë formimin e tyre akademik edhe me ciklin master dhe të dalin me formim 5-vjeçar, sepse për herë të parë këtë vit do të hapet masteri për inxhinierinë e armatimit. Ky është një program i përbashkët me Akademinë e Forcave të Armatosura.”

Universiteti i Vlorës, që bashkëpunon me Universitetin Politeknik të Barit në Itali, sipas Rektores Aurela Saliaj, në raundin e parë pret 10% më shumë studentë se sa vitin e kaluar.

“Jo vetëm që nuk kemi rënie të numrit të studentëve të regjistruar, por kemi të regjistruar 10% më tepër krahasuar me një vit më parë. Universiteti i Vlorës tashmë ka hyrë në vitin e tij ambicioz dhe me shumë degë të reja, sikurse janë: ekonomi, operator turistik, por edhe inxhinieri kompjuterike.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme