Valbona, perla e turizmit malor – Vizitorë të shumtë në shtator, kërkojnë natyrën dhe qetësinë

Turizëm | 1 vit më parë

Turizmi malor në Luginën e Valbonës vijon të njohë një fluks të lartë vizitorësh, edhe gjatë ditëve të para të shtatorit. Bujtinat dhe hotelet alpine janë të mbushura me turist vendas dhe të huaj, të cilët zgjedhin këtë zonë për qetësinë, ajrin e pastër dhe peizazhet mbresëlënëse që ofron natyra shqiptare.

“Magjia përveç natyrës mahnitëse është mikpritja e njerëzve ngado që të shkosh”, u shpreh një vizitore.

Shumë prej pushuesve të huaj, të ardhur nga vende të ndryshme si Argjentina apo Evropa, shprehen të impresionuar nga natyra dhe kultura shqiptare. Ata nisen në orët e para të mëngjesit për të eksploruar shtigjet e maleve dhe për të përjetuar aventurat në terren të egër.

“Kemi dëgjuar për alpet shqiptare dhe po i eksplorojmë, dhe janë vërtet mahnitëse, duken si një kartoline”, u shpreh një turiste.

Në këtë luginë, turizmi ndërthuret natyrshëm me traditën dhe mikpritjen. Gatimet tradicionale, produktet artizanale dhe shërbimi familjar janë kthyer në elemente kyçe të përvojës së turistëve. Në kuzhina punojnë amvisa të zonës që ruajnë recetat e hershme, duke i ofruar vizitorëve shije të vërteta vendase.

“I kemi të gjitha gatimet tradicionale”, tha një punonjëse.

Infrastruktura e përmirësuar përgjatë luginës dhe rrugët që ndjekin rrjedhën e kthjellët të lumit e bëjnë më të lehtë lëvizjen dhe e afron më shumë Valbonën me qytetin e Bajram Currit. Kjo ka ndikuar pozitivisht në rritjen e vizitueshmërisë dhe promovimin e turizmit të qëndrueshëm në veri të vendit.

Gazetare: Shkurte Elezaj

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme