“Vija të kuqe” për turizmin e zhytjes, qeveria vendos rregulla të forta për arkeologjinë nënujore, ndalohet shitja e amforave dhe e gjetjeve nga anijet e mbytura

Turizëm | 9 muaj më parë

Pasuritë historike që flenë në fundin e deteve dhe liqeneve shqiptare do të kenë një mburojë të re ligjore. Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të detajuar që përcakton “vijat e kuqe” për çdo projekt arkeologjik nënujor, duke i dhënë fund kërkimeve amatore apo të pakontrolluara.

Parimi bazë: Mos e prek!

Ndryshimi më i madh në këtë vendim është parimi “in situ” (në vend). Qeveria sanksionon se zgjidhja parësore për çdo gjetje arkeologjike (anije të mbytura, amfora, rrënoja) është ruajtja e tyre aty ku janë, në fund të detit. Nxjerrja e objekteve në sipërfaqe do të lejohet vetëm në raste ekstreme, kur ato rrezikohen, ose për qëllime të rëndësishme studimore, por kurrsesi për tregti.

Vendimi e thotë qartë: “Trashëgimia kulturore nënujore nuk tregtohet, shitet, blihet ose këmbehet si mall në treg.”

Kriteret “të hekurta” për zhytësit

Për të shmangur dëmtimet nga kërkuesit e thesareve apo amatorët, vendimi vendos standarde të larta profesionale. Asnjë projekt nuk mund të nisë pa miratimin e Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM). Ekipet duhet të kenë në përbërje:

Arkeologë të licencuar për zhytje.

Zhytës teknikë të certifikuar (të paktën grada e tretë nga shkolla si PADI, SSI, CMAS).

Specialistë për konservimin e qeramikës, metaleve dhe qelqit.

Gjithashtu, një kusht i panegociueshëm është siguria e jetës. Drejtuesit dhe stafi duhet të kenë dokumentin e sigurimit të jetës sipas standardeve ndërkombëtare (si DAN Europe).

Teknologji, “jo kazma“

Eksplorimi i botës nënujore nuk do të bëhet më me metoda shkatërruese. Vendimi urdhëron përdorimin e teknikave vrojtuese dhe jo-invazive. Nëse gërmimi është i domosdoshëm, ai duhet të kryhet me teknologji që garanton paprekshmërinë e ekosistemit detar, duke respektuar florën dhe faunën.

Ky vendim vjen në një kohë kur interesi për turizmin e zhytjes dhe arkeologjinë nënujore në Shqipëri është në rritje, duke synuar të kthejë këtë potencial në një aset të mirëmenaxhuar dhe jo në një mundësi për abuzime.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme