Vjosa, rezervë e biosferës nga UNESCO. Ky status i sjell zonës më shumë projekte dhe vëmendje

Turizëm | 12 muaj më parë

Vjosa është tashmë jo vetëm lumi i shqiptarëve, por pasuri e mbarë botës. Ky vendim historik u shpall në Kongresin Botëror mbi Rezervat e Biosferës, që u mbajt në Kinë vetëm pak ditë më parë. Për Eduina Gugën, drejtore e Zyrës së Administrimit të Parkut Kombëtar Vjosa, kjo do të thotë më shumë projekte kërkimore, më shumë vëmendje për zhvillimin e zonës , jo vetëm për kufijtë e parkut.

“Rezerva e Biosferës është nëfakt një urë, një urë që lidh shkencën me natyrën, me edukimin dhe turizmin e qëndrueshëm. Menaxhimi nuk është vetëm ruajtja, por bashkëjetesë krijuese. Kjo do të thotë për Vjosën më shumë projekte kërkimore, me më shumë partneritete ndërkombëtare, më shumë vëmendje për zhvillimin e zonës”, deklaroi ajo.

Po si preket komuniteti nga ky vendim?

“Ky status sjell më shumë se sa një emër, sjell mundësi. Tregu i produkteve lokale, bujtinat, artizanati, të rinjtë që kërkojnë punë, të gjithë marrin një rol të ri në këtë skenë. Kur themi biosferë, themi harmoni mes njeriut dhe natyrës, që do të thotë që banorët e Vjosës do jetojnë jo vetëm pranë lumit, por me lumin duke fituar nga bukuritë e tij, por pa ja marrë frymën”, tha drejtoresha e Zyrës së Administrimit të Parkut Kombëtar Vjosa.

Vjosa është lumi i dytë më i madh në Shqipëri dhe formon një sipërfaqe të pellgut ujëmbledhës afërsisht 6,800 km² nga të cilat 4,540 km² janë në Shqipëri. Lumi rrjedh në drejtimin JL-VP, në një gjatësi prej 272 km (190 prej të cilave ndodhen në Shqipëri), nga vargmalet e Pindit në Greqi deri në grykëderdhjen e saj detin Adriatik. Pellgu Ujëmbledhës i Vjosës në Shqipëri kalon në rrethet e Gjirokastrës, Vlorës, Fierit, Korçës dhe Beratit duke formuar ekosisteme kyçe për një popullsi prej 130 000 banorësh.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme