Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja/ Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon në gjyq Elvis Shkambin, xhaxhain e tij dhe punonjësin e sigurisë

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për vrasjen e gjyqtarit Astri Kalaja në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë dhe ka dërguar në gjyq tre persona, përfshirë dy të akuzuar për veprat penale që lidhen me ngjarjen dhe punonjësin e sigurisë së gjykatës, i akuzuar për shpërdorim detyre.
Sipas Prokurorisë, shtetasi Elvis Shkambi do të përballet me akuzat për “Vrasje e funksionarëve publikë”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kundër palëve ndërgjyqëse, e mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Në gjyq është dërguar edhe xhaxhai i tij Gjon Shkambi, i akuzuar për “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, ndërsa punonjësi i sigurisë B.K. akuzohet për “Shpërdorim detyre”.
Hetimet nisën më 6 tetor 2025, pasi policia u njoftua se në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ishte qëlluar me armë zjarri gjyqtari Astrit Kalaja.
Sipas organit të akuzës, ngjarja ndodhi gjatë një seance gjyqësore që kishte në objekt kundërshtimin e veprimeve përmbarimore. Pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari, Elvis Shkambi nxori nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe qëlloi disa herë në drejtim të tij.
Më pas, sipas Prokurorisë, ai e drejtoi armën edhe në drejtim të shtetasve R.K. dhe E.K., të cilët tentuan të largoheshin nga salla. Si pasojë, E.K. mbeti i plagosur në dorën e djathtë, ndërsa R.K. pësoi dëmtime në trup.
Pas ngjarjes, Elvis Shkambi ia dorëzoi armën punonjësit të sigurisë së gjykatës dhe doli në oborr, ku u arrestua në flagrancë.
Nga hetimet, Prokuroria thotë se ka rezultuar se Elvis Shkambi e ka kryer ngjarjen në bashkëpunim me Gjon Shkambin. Sipas akuzës, mes tyre dhe familjes së shtetasit E.K. kishte një konflikt të vazhdueshëm për çështje pronësie.
Elvis Shkambi ka deklaruar gjatë hetimeve se armën e kishte pasur edhe në seanca të tjera dhe se xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, ishte në dijeni të këtij fakti.
Ndërkohë, Prokuroria ka ngritur akuzë për shpërdorim detyre ndaj punonjësit të sigurisë B.K., pasi sipas hetimeve ai nuk ka kryer kontrollin fizik të dy personave dhe nuk i ka regjistruar në librin e hyrje-daljeve të gjykatës.
Nga këqyrja e regjistrit, sipas Prokurorisë, rezulton se hyrja e tyre nuk ishte regjistruar. Në të njëjtën kohë, punonjësi i sigurisë ka qëndruar i ulur dhe nuk ka kryer kontrollin fizik, duke lejuar hyrjen e njërit prej tyre me armë në ambientet e gjykatës.
Sipas organit të akuzës, mungesa e kontrollit të sigurisë solli një cenim konkret dhe të rëndë të rregullave që synojnë mbrojtjen e sigurisë në institucionet e drejtësisë.
NJOFTIMI I PROKURORISË
Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq për tre vepra penale shtetasit E.Sh dhe Gj.Sh. për vrasjen e gjyqtarit A.K. Në gjyq edhe punonjësi i sigurisë për ‘Shpërdorim detyre’
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin E.Sh., për veprën penale ‘Vrasje e funksionarëve publikë’ dhe ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’ kundër palëve ndërgjyqëse e mbetur në tentativë si dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit’ parashikuar nga nenet 79/a, 79/ç dhe 278/1 të Kodit Penal.
Po kështu, në gjyq u dërguan dhe shtetasit Gj.Sh., për ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’ si dhe B.K., për ‘Shpërdorim detyre’ parashikuar nga nenet 79/ç dhe 248 të Kodit Penal.
Hetimet mbi procedimin penal nr.7416, viti 2025 më datë 06.10.2025, nisën pasi rreth orës 15.38, në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë u njoftua se në ambientet e brendshme të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është qëlluar me armë zjarri gjyqtari A.K.
Nga kryerja e veprimeve të para hetimore, përfshirë këqyrjen e vendit të ngjarjes, administrimin dhe këqyrjen paraprake të pamjeve filmike, rezultoi se gjyqtari A.K., u qëllua në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore me objekt “Kundërshtimin e veprimeve përmbarimore”, me palë paditëse R.K. ku palë të treta ishin edhe shtetasit Gj.Sh. dhe nipi i tij E.Sh.
Menjëherë pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari A.K., i pandehuri E.Sh., nxorri nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të gjyqtarit. Më pas ai ia ka drejtuar pistoletën shtetasve R.K. dhe E.K., të cilët kanë tentuar të largohen nga salla, duke shkaktuar plagosjen e shtetasit E. K. në dorën e djathtë dhe dëmtimin e shtetasit R. K. në trup.
Menjëherë pas këtij veprimi, i pandehuri E.Sh., ia ka dorëzuar armën e zjarrit punonjësit të sigurisë së Gjykatës dhe ka dalë në oborrin e Gjykatës, ku është kapur në flagrancë.
Në përfundim të hetimeve dhe nga provat e administruara rezultoi se i pandehuri E.Sh., e kreu veprën penale në bashkëpunim me të pandehurin Gj.Sh. dhe këta shtetas kanë konsumuar të gjitha veprat penale për të cilat akuzohen. Shtetasi E.Sh deklaroi se armën e ka pasur edhe në seanca të tjera dhe se xhaxhai i tij e dinte këtë fakt. Nga provat rezulton se ndërmjet tyre dhe familjes së shtetasit E.K., ka pasur një konflikt të vazhdueshëm pronësie.
Për sa i përket të pandehurit B.K., rezulton se ai ka konsumuar në të gjitha elementet e veprës penale të Shpërdorimit të detyrës parashikuar nga neni 248 i K.Penal.
Nga hetimet rezultoi se të dy shtetasit E.Sh. dhe Gj.Sh., kanë hyrë në gjykatë pa u kontrolluar, dhe njëri prej tyre kishte armë, të cilën e përdori brenda sallës ku për pasojë gjyqtari A.K. humbi jetën dhe dy persona të tjerë u plagosën. Në këtë rast kemi cenim konkret, të drejtpërdrejtë dhe jashtëzakonisht të rëndë të interesit juridik që rregullat e sigurisë synonin të mbronin.
Shtetasi B.K., qëndron i ulur dhe nuk kryen asnjë veprim për kontrollin fizik. Po në të njëjtin moment, ai nuk kryen regjistrimin e tyre në librin e hyrje-daljeve dhe kjo provohet edhe nga këqyrja e regjistrit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




