Zbardhet ngjarja e Burrelit/ SPAK dërgon për gjykim 4 të pandehurit për rrëmbimin dhe vrasjen e shtetasit Renis Dobra

Aktualitet | 35 minuta më parë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 181 të vitit 2025. Në bankën e të pandehurve do të ulen shtetasit Fation Bushgjokaj, Petrit Hoxha (Çakraj), Kristë Bushgjokaj dhe Aleksandër Bushgjokaj.

Të katër personat akuzohen për veprat penale “Rrëmbim ose mbajtje peng e personit”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit si grup i strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.

Dinamika e ngjarjes dhe ndjekja në aksin Klos–Zenisht

Sipas dosjes hetimore, ngjarja ka ndodhur më 8 korrik 2025. Hetimet e detajuara kanë dokumentuar se katër të pandehurit kishin organizuar një plan të strukturuar për lokalizimin, rrëmbimin dhe ekzekutimin e shtetasit Renis Dobra.

Nga këqyrja e pamjeve filmike, pajisjeve GPS të mjeteve të marra me qira dhe provave të tjera logjistike, u provua lëvizja e anëtarëve të grupit në qytetin e Burrelit. Viktima u pikas pranë vendit të quajtur “Ura e Matit” teksa udhëtonte me automjetin e tij tip “Benz”.

Ai u vendos në ndjekje nga një automjet tip “Hyundai Santa Fe”, ku ndodheshin Petrit Hoxha (Çakraj) dhe Kristë Bushgjokaj, të cilët sinjalizuan bashkëpunëtorët e tyre, Fation dhe Aleksandër Bushgjokaj, që lëviznin me një mjet tip “Range Rover”.

Pengmarrja në “Kroin e Suçit” dhe vrasja

Ndjekja ka vazhduar përgjatë aksit rrugor deri në vendin e quajtur “Kroi i Suçit”. Rreth orës 21:58, automjeti “Range Rover” i ka bllokuar rrugën mjetit të viktimës.

Sipas rezultateve të hetimit të SPAK, shtetasi Renis Dobra është nxjerrë forcërisht nga makina e tij dhe, nën përdorimin e dhunës nga autorët, është futur me forcë në mjetin e tyre. Më pas, tre automjetet janë zhvendosur në autokolonë nga Burreli në drejtim të Ulzës dhe Shkopetit. Në këtë zonë, ndaj viktimës është ushtruar dhunë e rëndë fizike duke i shkaktuar vdekjen, rrethanë e konfirmuar edhe nga akti i ekspertimit mjeko-ligjor.

Tentativa për fshehjen e trupit dhe provat e grumbulluara

Për të humbur gjurmët e krimit, autorët e ngjarjes hodhën automjetin e viktimës së bashku me trupin e tij pa jetë në ujërat e liqenit të Ulzës.

Hetuesit e SPAK arritën në përfundimin se krimi ishte plotësisht i planifikuar dhe i koordinuar me precizion nga një grup i strukturuar kriminal. Kjo u provua përmes analizës së lëvizjeve të mjeteve, të dhënave të pajisjeve GPS, këqyrjes së kamerave të sigurisë, si dhe tabulateve dhe pajisjeve telefonike të të pandehurve.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme