Zjarri në pallatin te “Farmacia 10”, Avokati i Popullit: Ngritëm task-forcë për hetimin e sigurisë teknike. Bashkia të strehojë banorët përmes banesave sociale
Avokati i Popullit, Endri Shabani, ka bërë të ditur se ky institucion ka ngritur një task-forcë për hetimin e sigurisë teknike lidhur me pallatin që u dogj te “Farmacia 10” në Tiranë, duke lënë të shkrumbuara 30 banesa.
Lidhur me ngjarjen e rëndë, Shabani tha se i ka kërkuar Bashkisë Tiranë që përmes programeve të strehimit social të sigurojë strehimin e banorëve të prekur nga kjo tragjedi.
“Kemi konstatuar probleme që lidhen me garantimin e sigurisë teknike të godinave apo planifikimin e hapësirave për ndërhyrjen e zjarrfikësve. Avokati i Popullit ka ngritur një task-forcë që synon të hetojë sigurinë e banesave të përbashkëta në kryeqytet dhe të dalë me rekomandime konkrete ligjore dhe administrative. I kemi kërkuar Bashkisë Tiranë që të ofrojë një zgjidhje të menjëhershme për banorët e prekur nga kjo tragjedi përmes programeve të strehimit social. Ky rast nxori në pah nevojën që Avokati i Popullit të ketë kompetenca edhe në sektorin privat, ku të mbrojë të drejtat e konsumatorit në rastin konkret të banorëve me ndërtuesin e pallatit”, tha Shabani.
Gjatë prezantimit të raportit vjetor për vitin 2025, theksi u vu te respektimi i të drejtave të njeriut dhe përmirësimi i mirëqeverisjes në vend, si dhe problematikat e hasura nga institucioni i Avokatit të Popullit.
Shabani deklaroi se synohet që raporti të shërbejë si një “grafi vjetore” e gjendjes së të drejtave të qytetarëve dhe funksionimit të institucioneve. Ai theksoi se aktorët e shoqërisë civile duhet të kontribuojnë me të dhëna nga terreni, në mënyrë që zëri i tyre të bëhet pjesë integrale e raportit.
“Këtë vit synojmë që raporti ynë të shërbejë si një grafi vjetore e mirëqeverisjes dhe e të drejtave të qytetarëve në vend. Aktorët e shoqërisë civile duhet të kontribuojnë me të dhënat e tyre nga terreni, që zëri i tyre të bëhet pjesë integrale e raportit vjetor të Avokatit të Popullit. Vizioni ynë është transparenca e plotë me qytetarët dhe duhet të reformojmë jo vetëm formën e raporteve, por edhe mënyrën se si funksionon institucioni i Avokatit të Popullit. Ky institucion duhet të jetë një zë më i fuqishëm për qytetarët. Synojmë digjitalizimin dhe modernizimin e institucionit për të shmangur burokracitë dhe që qytetari të shohë në kohë reale çështjen e tij, si dhe rritjen e transparencës”, tha ai.
Shabani tha se synimi është që ky institucion të jetë më transparent, më pranë qytetarëve dhe se në rast refuzimi apo abuzimi do të përdorë çdo instrument ligjor ndaj zyrtarëve apo institucioneve që shkelin të drejtat e qytetarëve.
Shabani u shpreh se pritshmëria është që institucioni të reformohet dhe të ndërtojë ura bashkëpunimi me qytetarët, duke u shndërruar në një zë më të fuqishëm për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
“Kur ne flasim për pritshmëri, ajo është që institucionin ta reformojmë dhe të ndërtojmë ura bashkëpunimi me qytetarët. Aty ku do të hasim rezistencë, nuk do të hezitojmë të përdorim çdo instrument ligjor ndaj çdo zyre apo zyrtari që shkel të drejtat e qytetarëve. Ne duhet të jemi të përgjegjshëm për çdo grupmoshë dhe në çdo cep të territorit të vendit tonë. Për shtresat në nevojë, shërbimi pranë nesh do të jetë falas”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



