12 projekte për kërkimin shkencor, Universiteti i Shkodrës zgjeron dhe partneritetet ndërkombëtare
Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës po i kushton një rëndësi të veçantë kërkimit shkencor, duke mbështetur financiarisht gjatë këtij viti një sërë projektesh të zhvilluara nga pedagogët e tij. Përmes këtyre nismave, institucioni synon të nxisë kërkimin, inovacionin dhe rritjen e cilësisë akademike.
“Ky ka qenë viti i parë, në fakt, që Universiteti i Shkodrës ka financuar nëntë projekte të kërkimit shkencor me fondet e veta, ndërkohë që aktualisht, në qershor, janë miratuar nga AKSHI edhe tre projekte të kërkimit shkencor nga pedagogë të Universitetit të Shkodrës dhe ajo çka është shumë e bukur, do të thoja, është fakti që janë projekte në të cilat janë të angazhuar pedagogë nga të gjitha fakultetet”, tha Prof. Dr. Blerta Dragusha, rektore e Universitetit “Luigj Gurakuqi”.
Rektorja Blerta Dragusha thekson se universiteti nuk është i angazhuar vetëm në programin Erasmus+, por aplikon edhe në programe të tjera ndërkombëtare, të cilat krijojnë mundësi të reja për financim, zhvillim akademik dhe bashkëpunim me institucione partnere.
“Jemi fitues në dy projekte në Erasmus Mobility, një me Universitetin e Lvenit në Belgjikë dhe një tjetër me Universitetin e Salentos në Itali. Një tjetër prioritet i universitetit mbetet zgjerimi i bashkëpunimeve me universitete prestigjioze jashtë vendit. Si vjet do të fillojmë me një diplomë të përbashkët me Universitetin e Salentos. Pra, dhe aty parashikojmë të kemi studentë ndërkombëtarë. Ndërkohë që për vitin e ardhshëm kemi objektiv punën në dy programe të tjera, diploma të përbashkëta”, tha ajo.
Një tjetër prioritet i universitetit mbetet zgjerimi i bashkëpunimeve me universitete prestigjioze jashtë vendit, me synimin për zhvillimin e programeve të përbashkëta të studimit dhe diplomave të dyfishta, duke u ofruar studentëve mundësi më të mëdha ndërkombëtarizimi dhe formimi profesional.
Universiteti “Luigj Gurakuqi” synon që përmes kërkimit shkencor dhe partneriteteve ndërkombëtare të forcojë pozicionin e tij si një qendër e rëndësishme e arsimit të lartë dhe e zhvillimit akademik në veri të vendit.
Gazetar: M. Gjini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





