Monitorim intensiv në qarkun e Korçës, arrestohen 5 drejtues mjetesh dhe vendosen mbi 1100 gjoba brenda një jave

Aktualitet | 26 minuta më parë

Policia Rrugore e Korçës ka vijuar monitorimin intensiv në të gjitha akset urbane, interurbane dhe rurale të qarkut, duke përdorur pajisje inteligjente me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut. Si rezultat i kontrolleve të ushtruara gjatë një jave, autoritetet kanë konstatuar një sërë shkeljesh dhe kanë ndërmarrë masa ligjore ndaj shkelësve.

Gjatë kësaj periudhe, shërbimet e qarkullimit rrugor kanë bërë të mundur arrestimin e 5 shtetasve, ku “4 shtetas janë kapur duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, dhe 1 shtetas për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”.

Në kuadër të masave administrative për parandalimin e ngjarjeve rrugore, Policia Rrugore bën me dije se “janë vendosur gjithsej 1149 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor”. Mes shkeljeve më të shpeshta të evidentuara spikasin:

  • 271 masa për ndalim të gabuar të mjetit;
  • 229 masa për parakalime të gabuara;
  • 59 masa për mosrespektim të këmbësorëve në vijat e bardha;
  • 58 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit;
  • 19 masa për përdorim të celularit gjatë drejtimit;
  • 17 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse;
  • 7 masa për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit;
  • 7 masa për xhama të errësuar;
  • 482 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Në përfundim të njoftimit, Policia Rrugore e Korçës thekson se “kontrollet do të vijojnë duke përdorur të gjitha mjetet bashkëkohore logjistike, me qëllim përmbushjen e parametrave të sigurisë rrugore”. Njëkohësisht, ajo u bën thirrje drejtuesve të automjeteve që të respektojnë rregullat dhe fton qytetarët që të denoncojnë çdo paligjshmëri në numrin pa pagesë 112.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme