17 fabrika drejt markës së vajit të ullirit, certifikimi hap rrugën për standarde të reja europiane

Bujqësi | 3 muaj më parë

Një hap i ri drejt modernizimit të bujqësisë po ndërmerret në Lushnjë, ku 17 fabrika të prodhimit të vajit të ullirit janë përfshirë në procesin e certifikimit dhe organizimit si Shoqëri të Bashkimit Bujqësor.

Paralelisht, përfaqësuesit e tyre po trajnohen për përmirësimin e teknologjisë dhe standardeve të prodhimit, me synimin që vaji i ullirit të eksportohet nën një markë të përbashkët.

“Këto takimet na shërbejnë për zhvillimin e biznesit, për sensibilizimin e fermerëve, për grumbullimin e vajit dhe shpresojmë të gjejmë ndonjë treg për eksport”.

“Ky projekt është për higjienën, për pastrimin, për mbetjet. Mbasi të përfundojmë këtë, ne mund të shtojmë ndonjë linjë të re në biznesin tonë për paketimin dhe kërkojmë dhe që të bëjmë për eksport për jashtë”, u shprehën disa nga pronarët e fabrikave të vajit.

Sipas Bashkisë së Lushnjës, certifikimi i 17 përfaqësuesve të parë do të ndihmojë në standardizimin e cilësisë dhe rritjen e konkurrueshmërisë së produktit. Kryebashkiakja Eriselda Sefa e cilëson këtë proces një reformë të rëndësishme për ekonominë lokale, që krijon një markë më të fortë dhe më të besueshme në tregun europian.

“Ky bashkim bën të mundur që ne t’i ndihmojmë ata me ekspertizën e nevojshme, por patjetër që edhe për të lidhur një kontratë për ta eksportuar këtej jashtë Shqipërisë, ku pjesë e së cilës është edhe një institucion shtetëror, patjetër që besueshmëria është akoma më e lartë dhe siguria është akoma më e lartë për të gjetur treg”, tha Eriselda Sefa, Kryetare e bashkisë Lushnjë.

Projekti ka siguruar asistencë ligjore, trajnim teknik dhe mbështetje në marketing e branding, me qëllim promovimin e vajit të ullirit dhe produkteve bujqësore të zonës nën identitetin “Made in Lushnja” në tregjet ndërkombëtare.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme