3.700 aplikime në Universitetin e Korçës, për Fakultetin e Bujqësisë 50% kërkesa më shumë
Për këtë vit akademik në programet që ofron Universiteti “Fan Noli” i Korçës kanë aplikuar më shumë maturantë se një vit më parë.
Një gjë e tillë bëhet e ditur nga rektori, Prof. Dr. Lorenc Ekonomi, i cili thotë se kanë aplikuar rreth 3.700 maturantë osë 7% më shumë se vitet e kaluara. Ai gjithashtu thotë se degët më të preferuara kanë qenë Infermieria dhe programi Edukim Fizik dhe Sporte, por e veçantë është kërkesa e lartë e maturantëve për programet e Fakultetit të Bujqësisë, ku janë shënuar 50% më shumë aplikime.
“Po kështu ka rritje në degët e Informatikës, Inxhinierisë Kompjuterike, Teknologjisë së Informacionit, Informatikës së Biznesit dhe në degën e Turizmit. Në degët e tjera ka stabilitet, po ato shifra që kanë qenë vitet e tjera,” thotë rektori Ekonomi.
Megjithëse është ende herët, rektori i Universitetit “Fan Noli” mendon se do të ketë më shumë studentë të regjistruar në këtë vit të ri akademik.
Ai gjithashtu sqaron se në varësi të regjistrimeve do të shihet edhe mundësia e mosaktivizimit të programeve, në të cilat do të ketë pak ose aspak regjistrime, ndërsa për këtë vit nuk pritet të ketë mbyllje përfundimtare të programeve.
Gjithçka pritet të qartësohet pas përfundimit të periudhës së regjistrimeve për vitin akademik 2025 – 2026 në universitetin Fan Noli të Korçës.
Gazetare: K. Koçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





