Rama dhe Mickoski promovojnë sistemin “One Stop Shop” në Qafë Thanë: Shqipëria s’do bëhet kurrë pengese për të penguar integrimin Maqedonisë së Veriut në BE

Aktualitet | 24 minuta më parë

Kryeministri Edi Rama dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, kanë promovuar sistemin e integruar të kontrollit kufitar “One Stop Shop” në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës. Mekanizmi i ri synon të shkurtojë kohën e pritjes dhe të lehtësojë qarkullimin e udhëtarëve dhe mallrave mes dy vendeve.

Sipas gazetares së RTSH-së, Denada Shkodrani, gjatë takimit Mickoski u shpreh se synimi është zgjerimi i këtij bashkëpunimi edhe në pikat e tjera të kalimit kufitar, për të përmirësuar ndërlidhjen mes dy vendeve dhe për të nxitur turizmin, veçanërisht atë liqenor dhe detar.

Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë një hap konkret me ndikim për miliona njerëz që lëvizin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Po hedhim një hap konkret që ka efekt pozitiv për miliona njerëz që lëvizin këtu. Ishim më herët te ‘kontrollo-kontrollo’, tani kaluam te ‘kontrollo-beso’, pastaj kalojmë në fazën tjetër, ‘beso-beso’”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare e vlerësoi këtë moment si një fazë pozitive në marrëdhëniet mes dy vendeve, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për projektet e përbashkëta.

“Sot jemi në një moment jashtëzakonisht pozitiv në marrëdhëniet tona, sepse hedhim një hap konkret me këtë transformim që ka një rëndësi të jashtëzakonshme për miliona njerëz që kalojnë këtë kufi. Jemi në një proces bashkëpunimi, ku kemi shumë gjëra që duhet t’i bëjmë së bashku dhe pa diskutim njëra ndër to është që të punojmë për ta çuar përpara projektin madhor”, deklaroi Rama.

I pyetur nga gazetarët për procesin e integrimit europian të Maqedonisë së Veriut, Rama u shpreh se ka qenë vazhdimisht mbështetës i afrimit të këtij vendi me Bashkimin Europian.

“Unë kam qenë në mënyrë të vijueshme, ndonjëherë edhe me zë të lartë, në mbështetje të procesit të afrimit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE”, u shpreh kryeministri.

Rama theksoi gjithashtu rëndësinë e projekteve të përbashkëta, duke veçuar Korridorin VIII, të cilin e cilësoi një projekt madhor jo vetëm për integrimin europian, por edhe për NATO-n.

Pas ndalesës në pikën kufitare të Qafë Thanës, kryeministri Rama do të vizitojë Konsullatën e Nderit në Ohër. Në vijim, ai do të udhëtojë drejt Manastirit, ku do të vizitojë Muzeun e Alfabetit dhe do të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar në nder të 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

Gjatë takimit në Qafë Thanë, Mickoski përcolli urimet për këtë festë të rëndësishme për gjuhën dhe kombin shqiptar, duke falënderuar kryeministrin Rama për bashkëpunimin.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme