500 studentë diplomohen në Universitetin e Sporteve, Kumbaro: Ndërkombëtarizimi sjell ura të reja bashkëpunimi

Arsim | 51 minuta më parë

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të 500 studentëve në Universitetin e Sporteve të Tiranës. Duke uruar të gjithë studentët, prindërit dhe pedagogët, Ministrja Kumbaro ka vlerësuar ndërkombëtarizimin e Universitetit të Sporteve me arritjet e diplomave të dyfishta dhe programeve të përbashkëta me Universitetin “Magna Graecia” të Catanzaros në Itali dhe me Shkollën e Sportit të Rio Maior në Portugali.

“Dua të përgëzoj Universitetin e Sporteve për të nxitur dhe për të mbështetur programet e përbashkëta, diplomat e dyfishta me universitete të tjera europiane, siç është rasti i Universitetit të Catanzaros në Itali, në Portugali dhe, e fundit, por jo për nga rëndësia, është një nga bashkëpunimet shumë të mira ku e gjithë qeveria shqiptare, në fakt me angazhimin e drejtpërdrejtë edhe të Kryeministrit, punuam që Universiteti i Sporteve të ndërtonte disa mastera shumë të rëndësishëm, siç është Real Madridi, që ju si profesionistë të sportit e njihni dhe e dini shumë mirë se çfarë do të thotë të kesh në partneritet dhe në diplomat e përbashkëta një partner të një emri të madh të sportit, të futbollit, siç është Fondacioni i Real Madridit”, tha Kumbaro.

Miistrja nënvizoi se sporti është prioritet i politikave të Ministrisë së Arsimit që, në arsimin parauniversitar, me rritjen e orëve të mësimit të sportit dhe të investimet në infrastrukturën e terreneve sportive.

Kumbaro i ka konsideruar studentët e sportit si ambasadorët më të mirë të vendit: “Studentët që dalin nga ky universitet janë gjithashtu edhe ambasadorët më të mirë në garat dhe në përballjet ndërkombëtare që ne kemi në fusha të ndryshme të sportit. T’i gëzoni diplomat dhe shkëlqefshi kudo që të jeni.”

Në Universitetin e Sporteve të Tiranës këtë vit u diplomuan rreth 500 studentë në 8 programe studimi, pranë tri fakulteteve të tij. Nga numri i përgjithshëm i të diplomuarve, 300 studentë përfundojnë studimet Bachelor, 170 studentë në 2 programe Master i Shkencave dhe 50 studentë në 3 programe Master Profesional. Të diplomuarit janë brez i ri profesionistësh, të përgatitur për të kontribuar në zhvillimin e edukimit fizik, shkencave sportive, veprimtarisë fizike, rekreacionit dhe rehabilitimit në Shqipëri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme