6 zakonet e përditshme që ju dëmtojnë në heshtje trurin tuaj

Kuriozitete | 47 minuta më parë

Pjesa më e madhe e njerëzve investojnë kohë dhe para për t’u dukur më të rinj nga jashtë, por sa po kujdesen për të mbajtur trurin e tyre të mprehtë?

Për shumë njerëz, shëndeti mendor nuk bëhet prioritet deri në momentin kur diçka shkon keq por atëherë mund të keni humbur mundësinë për ta parandaluar problemin.

“Pothuajse çdo gjë që bëjmë sot po modelon shëndetin e trurit tonë në të ardhmen” paralajmëron Dr. Randy D’Amico, drejtor i Programit të Metastazave të Trurit dhe Shpinës në spitalin “Northwell Lenox Hill” në Nju Jork.

Megjithëse gjenetika ka rolin e saj, shumica e faktorëve që përcaktojnë shëndetin kognitiv janë tërësisht në dorën tonë.

Ja gjashtë zakonet e përditshme që mund të jenë duke dëmtuar funksionin tuaj mendor dhe hapat që duhet të ndërmerrni për t’i parandaluar ato:

Qëndrimi i tepërt ulur

Truri ka nevojë për lëvizje. Mungesa e aktivitetit fizik dëmton enët e gjakut, gjë që ndikon drejtpërdrejt në furnizimin e trurit me oksigjen dhe lëndë ushqyese. Shoqata Amerikane e Zemrës rekomandon të paktën 150 minuta aktivitet fizike me intensitet mesatar ose 75 minuta aktivitet intensiv në javë.

Nënçmimi i rëndësisë së gjumit

Mungesa e gjumit nuk shkakton vetëm plogështi në mëngjes. Gjumi i pamjaftueshëm ose jo cilësor dëmton vëmendjen, kujtesën, humorin dhe shëndetin kardiovaskular. Gjatë gjumit, truri punon për konsolidimin e informacionit, të nxënit dhe kujtimeve. Ekspertët rekomandojnë të paktën 7 orë gjumë të rregullt çdo natë.

Konsumi i ushqimeve të ultra-përpunuara

Një dietë e ngarkuar me ushqime të rafinuara e ultra-të-përpunuara — dhe e varfër me perime, fruta, drithëra të plota e yndyra të shëndetshme — dëmton me kalimin e kohës kolesterolin, presionin e gjakut dhe nivelin e sheqerit. Dr. D’Amico thekson një rregull të thjeshtë: “Çfarë është e mirë për arteriet dhe zemrën, është e mirë edhe për trurin.”

Injorimi i tensionit, kolesterolit dhe sheqerit në gjak

Tensioni i lartë, kolesteroli i ngritur dhe diabeti dëmtojnë enët e gjakut që ushqejnë trurin. Rreziku kryesor qëndron te faktori “heshtje”: këto procese mund të zhvillohen për vite me radhë pa shfaqur asnjë simptomë të dukshme, duke shkaktuar dëme afatgjata përpara se të vihen re.

Jeta në shpërqendrim të vazhdueshëm

Njoftimet e pafundme në telefon, rrjetet sociale dhe shfletimi i pakontrolluar i përmbajtjeve digjitale (doomscrolling) e fragmentojnë vëmendjen. Për të mbrojtur aftësinë përqendruese, Dr. D’Amico sugjeron rikthimin te zakonet që kërkojnë vëmendje të qëndrueshme — si leximi i një libri pa praninë e ekraneve, dhe mësimin e vetes për të toleruar çastet e mërzisë pa kërkuar stimulim të menjëhershëm.

Tkurrja e rrethit social

Izolimi shoqëror është identifikuar si një nga faktorët kryesorë të rënies kognitive dhe demencës. Ndërveprimi i drejtpërdrejtë ballë për ballë e detyron trurin të punojë duke aktivizuar kujtesën, gjuhën, përpunimin emocional dhe aftësinë për t’iu përgjigjur tjetrit. Zakonet që ndërtoni sot janë një investim i drejtpërdrejtë për njeriun që do të jeni në të ardhmen.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme