Zbulohet diamanti rreth 2500 karatësh në Botsvana, i dyti më i madh në botë

Në Botsvana, një nga prodhuesit kryesorë të diamanteve në botë, është zbuluar diamanti i dytë më i madh në botë. Diamanti prej 2492 karatësh është zbuluar në një minierë në pronësi të firmës kanadeze Lucara Diamond në Botsvana.
Diamanti u gjet në minierën Karwe, rreth 500 km në veri të kryeqytetit të Botsvanës, Gaborone. Botsvana është një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të diamanteve, duke zënë rreth 20% të prodhimit global.
Ky është diamanti i dytë më i madh në botë pas diamantit Cullinan 3,106 karatësh, i gjetur në Afrikën e Jugut në vitin 1905. Diamanti Cullinan është prerë në nëntë gurë të veçantë, shumë prej të cilëve janë vendosur në kurorën britanike.
Në një deklaratë, kompania kanadeze Lucara tha se guri ishte “një nga diamantet më të mëdhenj të zbuluar ndonjëherë në këtë minierë. Ne jemi të entuziazmuar për rikuperimin e këtij diamanti të jashtëzakonshëm 2,492 karat”.
Diamanti u zbulua me përdorimin e teknologjisë me rreze X, një teknologji e përdorur që nga viti 2017 për të identifikuar dhe ruajtur diamantet me vlerë të lartë në mënyrë që të mos thyhen gjatë proceseve të grimcimit të xeheve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




