Dy koleksione të reja / Bora Kokëdhima, çdo veshje një histori personale

Stilistja Bora Kokëdhima do të vijë së shpejti me dy koleksione të reja nën logon e markës së saj “Savage”. Në një intervistë me Andri Xhahun në emisionin “Në radio”, Bora zbuloi detaje nga projektet e reja.
Njëri prej koleksioneve është ai i nusërisë, i cili përbëhet nga 21 fustane mbrëmjeje, tre kostume për shoqërueset e nuses që janë tailor-made dhe haute couture, 15 vello mbrëmjeje dhe nga dy sete gjumi para se nusja të vishet, të punuara me dorë në mëndafsh.

Koleksioni, i quajtur “Si Era”, ka një histori të veçantë.
“Si era që fryn, ose si Era, motra ime e vogël, e cila ka vuajtur pak me shëndetin vitet e fundit dhe unë vazhdimisht kam qenë e shqetësuar për të. Ajo ka qenë barometri në familjen tonë që ka sjellë qetësinë dhe paqen. Për shkak se në këtë koleksion doja të përcillja paqe, një lloj balance, doja të lija në të shkuarën dështimet e mia në kuptimin e vellove, t’i lija pas pa asnjë lloj sherri. Shumë histori të miat i lë në një fustan, është një lloj terapie.”
Ky koleksion do të vijë i prezantuar përmes një filmi të shkurtër xhiruar në Shqipëri me modele të huaja.
Bora Kokëdhima shprehet shumë e lumtur edhe për koleksionin e dytë të quajtur “Katran”.
“Është shumë personal, shumë inatçor, është ashtu siç më ka bërë mua bota të ndihem kur kam patur nevojë për të tjerët. Teknikisht është shumë i arrirë. Ka shumë referenca të së shkuarës. Aty maturohem si designer. Koleksioni është me krijime haute-porter një përzierje mes veshjeve haute couture dhe ready to wear. Është si një biografi, bazuar te personi im.”
Ky koleksion do të prezantohet në fund të muajit maj me një sfilatë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




