Mahnitën ‘America’s got talent’, Kim takohet me vëllezërit shqiptarë: Do bëj tifo për ta kur të dalin në skenë

Lifestyle | 4 vite më parë

Ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim është takuar me vëllezërit Artan dhe Arnold Balla të cilët mahnitën jurinë dhe publikun me performancën e tyre në ‘America’s got talent’ në 13 korrik

Takimi i tyre ndodhi në ambasadën Amerikane në Tiranë, ku vëllezërit erdhën për të marrë vizat e tyre për të vijuar konkurrimin në ‘America’s got talent’ me akrobacitë e rrezikshme dhe plot adrenalinë që shfaqin në skenë.

Ambasadorja Kim u shpreh e lumtur që u takua me dy të rinjtë, të cilët kanë punuar fort që të fitojnë mbështetjen publikut dhe profesionistëve të jurisë. Kim tha se do të bëj tifo për vëllezërit shqiptarë Balla kur të dalin sërish në skenë.

“Ishte kënaqësi të takohesha me vëllezërit Balla, të cilët kanë magjepsur botën me talentin e tyre! Artan dhe Arnold Balla erdhën në Ambasadën Amerikane sot për të marrë vizat e tyre, që të shkojnë në Hollywood dhe të konkurrojnë në “Amerika Ka Talent”. Ata më thanë se si ishin stërvitur qëkur ishin 14 vjeç, dhe se si askush nuk besonte tek ta në fillime. Por ata këmbëngulën dhe punuan fort, dhe sot janë shqiptarët e parë që interpretojnë në shfaqjen televizive më të famshme në botë. Si miliona njerëz kudo në botë, të gjithë ne në Ambasadën Amerikane do bëjmë tifo për vëllezërit shqiptarë Balla kur ata të dalin në skenë dhe të tregojnë se Shqipëria Ka Talent! Suksese!”, shkruan ambasadorja Yuri Kim

Të pasionuar pas akrobacisë, Arnold dhe Artan Balla, , 25 vjeç dhe 20 vjeç, morën 3 vota pozitive nga juria për performancën e tyre të rrezikshme që la pa fjalë shikuesit. Vlerësimet maksimale dy vëllezërit shqiptar i morën edhe nga anëtari më skeptik i jurisë, Simon Cowell.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme