FAO mbështet bujqësinë e qëndrueshme, rrit produktivitetin për fermerët shqiptarë
Teksa bota dhe rajoni përballen me pasojat e ndryshimeve klimatike, rritjen e çmimeve dhe konkurrencën e tregjeve, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) u bën thirrje institucioneve dhe fermerëve shqiptarë të përqafojnë një qasje më të qëndrueshme dhe të zgjuar ndaj bujqësisë.
Gjatë një takimi të zhvilluar në zemër të zonës bujqësore të Lushnjës, një nga zonat më produktive të vendit, FAO-ja theksoi rëndësinë e bujqësisë së qëndrueshme si mënyra më e sigurt për të rritur produktivitetin dhe të ardhurat e fermerëve në Shqipëri, duke mbrojtur njëkohësisht tokën, ujin dhe klimën.
“Bujqësia e qëndrueshme nuk është më luks, por domosdoshmëri për mbijetesën dhe zhvillimin rural,” u shpreh Valbona Ylli, eksperte e Analizës së Zinxhirit të Vlerës pranë Zyrës së FAO-s në Shqipëri. “Nëse duam që bujqësia shqiptare të jetë konkurruese në tregjet europiane, duhet të ndërtojmë mbi praktika që respektojnë natyrën, ulin kostot dhe rrisin cilësinë. Qëllimi nuk është vetëm prodhimi i bollshëm – por prodhimi i mençur, që ruan tokën dhe garanton të ardhmen,” tha znj. Ylli.
Ndër shembujt konkretë të përmendur gjatë takimit ishin: përdorimi i plehrave organikë dhe rotacionit të kulturave, që sjellin ulje të kostove afatshkurtra dhe përmirësim të rendimentit afatgjatë; zbatimi i teknologjive të thjeshta, si aplikacionet për vaditje dhe monitorim të mikroklimës në sera; kontrolli biologjik i dëmtuesve, që ndihmon në reduktimin e pesticideve dhe në ruajtjen e shëndetit të konsumatorëve.
Astrit Balliu, agronom pranë Zyrë së FAO-s në Shqipëri, theksoi se fermerët shqiptarë po tregojnë gjithnjë e më shumë gatishmëri për të përqafuar inovacionin: “Qasja po ndryshon. Fermerët nuk janë më thjesht përfitues – janë partnerë në një proces transformimi që ka nevojë për mbështetje, trajnime dhe akses në informacion.”
Pedro Marcelo Arias, ekonomist pranë Zyrës Rajonale të FAO-s për Europën dhe Azinë Qendrore, theksoi se përvoja e vendeve të rajonit tregon që kalimi drejt bujqësisë së qëndrueshme është i mundur – veçanërisht kur institucionet dhe partnerët e zhvillimit ndihmojnë në lehtësimin e tranzicionit për fermerët më të vegjël. “Ne jemi këtu për të ndihmuar jo me receta të gatshme, por me zgjidhje të përshtatura sipas realitetit shqiptar,” theksoi z. Arias.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





