QSUT partneritet me “San Raffaele” për shërbimin shëndetësor, Rama: Ta kthejmë qendrën spitalore në pikë referimi për Ballkanin

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Mjekësisë kanë nënshkruar një marrëveshje për një partneritet strategjik me Qendrën Spitalore Universitare të ekselencës europiane “San Raffaele” dhe Universitetin “Vita-Salute San Raffaele” në Itali.
Ky bashkëpunim ka për qëllim integrimin e praktikës dhe eksperiencës europiane në shërbimin shëndetësor shqiptar, duke e ngritur atë në një nivel më të lartë. Përfshirë përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe rritjen e kapaciteteve profesionale dhe akademike të stafit mjekësor shqiptar, ky partneritet do të sigurojë që QSUT dhe Universiteti i Mjekësisë të bëhen pjesë e ekselencës ndërkombëtare.
Kryeministri Edi Rama theksoi se ky është një hap i rëndësishëm për shëndetësinë shqiptare, si dhe për QSUT dhe Universitetin e Mjekësisë. Ai e përshkroi këtë si një “moment historik”, duke shtuar se është hapur një faqe e re në zhvillimin e sistemit shëndetësor shqiptar.
Rama theksoi ambicien për të bërë Qendrën Spitalore Universitare një pikë referimi për të gjithë Ballkanin dhe një qendër ekselence në Europë.
“Ky është një moment historik për shëndetësinë tonë, një moment historik për QSUT dhe për vetë Shqipërinë, se pse sot ne hapim një faqe të re në një rrugë që ka qenë e gjatë dhe jo e lehtë. Kishte një pikënisje dëshpëruese në një sistem shëndetësor ku e vetmja vlerë ishte vlera e profesionalistëve e mjekëve dhe infermierëve që në kushte skandaloze luftonin për të shpëtuar jetë. Ambicia jonë është që këtë qendër spitalore ta bëjmë pikë referimi për të gjithë Ballkanin dhe ta kthejmë në një qendër ekselence mes qendrave të ekselencës në Europë”, tha Rama.
Gjithashtu, ai nënvizoi synimin që Universiteti i Mjekësisë të kthehet në një degë ekselence për studentët nga e gjithë Europa dhe rajoni, duke mundësuar që ata të marrin një diplomë të ngjashme me atë që ofrohet në Universitetin “Vita-Salute San Raffaele” dhe të kthejnë Tiranën në një degë të këtij universiteti të njohur.
“Ne duam të transformojmë edhe Universitetin e Mjekësisë dhe synimi është që deri në 2030 Universiteti “Vita-Salute San Raffaele” të përfshihet drejtpërdrejtë në të gjitha proceset e organizmit dhe menaxhimin në Universitetin e Mjekësisë. Të vijën studentë nga e gjithë Europa dhe rajoni, ku në fund të marrin të njëjtën diplomë që merret edhe në Universitetin “Vita-Salute San Raffaele” dhe Tirana të kthehet në një degë të këtij universiteti”, tha Rama.
Koçiu: Marrëveshje historike për ta kthyer QSUT-në një qendër ekselence të një niveli europian
Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, vlerësoi marrëveshjen e firmosur mes Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe Universitetit të Mjekësisë me Qendrën Spitalore Universitare “San Raffaele” dhe Universitetin “Vita-Salute San Raffaele” në Itali. Ky partneritet synon të çojë shërbimin shëndetësor shqiptar në një nivel më të lartë, duke integruar praktikat dhe eksperiencën europiane.
Koçiu theksoi se ky bashkëpunim do të përmirësojë edukimin dhe zhvillimin profesional të stafit mjekësor shqiptar dhe do të kontribuoni në ngritjen e QSUT dhe Universitetit të Mjekësisë si qendra ekselence në rajon dhe Europë.
“Transformimi i sektorit të shëndetësisë nuk është vetëm spitali i ri pediatrik, nuk është vetëm Qendra Spitalore Universitare Nën Tereza, nuk është vetëm Tirana por është çdo shërbim në gjithë Shqipërinë. Ajo që shohim dhe marrim sot si shërbim e ka përmbysur atë realitet të zymtë dhe të pashpresë që na krijonin godinat e vjetruara, shërbimet pa standarde, mjetet e amortizuara, pajisje që nuk funksiononin dhe sigurisht mjek dhe infermier që ishin të zhgënjyer nga realiteti që punonin çdo ditë”, tha Koçiu.
Ajo përmendi gjithashtu arritjet e tjera të shëndetësisë shqiptare, përfshirë rritjen e buxhetit për shëndetësinë në një miliard euro, ndërtimin e 53 spitaleve dhe 400 qendrave shëndetësore, si dhe përmirësimin e aksesit dhe cilësisë së barnave dhe shërbimeve shëndetësore. Ky partneritet është një hap i rëndësishëm në transformimin e sistemit shëndetësor dhe përmirësimin e kujdesit ndaj qytetarëve.
“Kur morëm detyrën buxheti për shëndetësinë ishte vetëm 250 milion euro, sot me rritjen dhe të pjesës për mbrojtjen sociale, buxheti për ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes sociale prek një buxhet historik prej një miliard euro. Kjo do të thotë më shumë mundësi për punë, më shumë investime dhe pa diskutim shërbime shëndetësore më cilësor. Për ti dhënë qytetarëve tanë shërbim me më pak kosto dhe me standarde më të larta kemi investuar dhe kemi ndërtuar 53 shërbime dhe spitale prej të cilave 10 prej tyre janë tërësisht të ndërtuara nga e para.
“Kemi ndërtuar plot 400 qendra shëndetësore në mbarë vendin dhe duke transformuar mënyrën e shërbimit që ofrohet në kujdesin parësor. Ndryshuam gjithashtu skemën e trajtimit dhe menaxhimit të barnave. Që kur morëm detyrën çmimet e barnave janë ulur me 30% dhe ndërkohë kemi dyfishuar buxhetin për medikamentet të rimbursuara. Gjithashtu janë shtuar me 200 medikamente të rimbursueshme në listën e barnave që shërbejnë për të sëmurët kronik”, tha ajo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




