Berisha me fermerët në Dimal: Subvencionet do rriten nga 32 milionë euro në 230 milionë euro
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me fermerët në Dimal u shpreh se në programin e “Aleancës për Shqipërinë Madhështore”, subvencione ndaj tyre do të rriten në 230 milionë euro.
Berisha u shpreh se subvencionet do të jenë për çdo fidan të mbjellë dhe kokë bagëtie për fermerët pa kufizime.
“Unë vij sot tek ju për të parashtruar programin tonë, me të cilin duhet të garantojmë çdo fermer të Kutallisë, të Beratit dhe të mbarë Shqipërisë se ky program ka si qëllim më kryesor suksesin dhe rritjen e mirëqenies të fermerëve shqiptarë, të cilët ndërtojnë jetën e tyre me lumenj djerse dhe sakrifice. U garantoj se do bëjmë gjithçka që ky mund, kjo djersë dhe këto sakrifica të japin më shumë për ju, për familjet tuaja dhe për vendin. Ky është qëllimi i programit tonë.
Ne konsiderojmë diskriminimin që u bë juve këto 12 vite, një diskriminim të pafalshëm. Fermerë, mjafton t’u them një shifër unë këtu, në qoftë se fermeri në Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi, merr sot 5 herë më shumë se ju subvencione, ky është një diskriminim dhe ndëshkim për ju.
Në 380 mijë fermerë që japin 19 përqind të Prodhimit të Brendshëm të vendit, që punësojnë rreth 500 mijë shqiptarë, buxheti i shtetit, miq të dashur, ka lënë këtë vit për fermerin, pa llogaritur ato të administratës që marrin rroga, 32 milionë euro. Ne do u kthejmë paratë, se paratë i marrim nga ju. Ne nga 32 do kalojmë në 230 milionë me të cilat do subvencionojmë çdo fidan që do mbillni, çdo kokë bagëti që do mbani, çdo njësi prodhimi. Ky do jetë zotimi solemn i yni për ju”, tha Berisha.
Duke theksuar se bujqësia do të jetë në fokus të programit, Berisha tha se dhe pikat grumbulluese nuk do të lejohen që të kenë monopolin mbi çmimet.
“Grumbulluesve unë u them këtu se i mbështesim, jemi të gatshëm t’i kreditojmë me kredi të buta dhe lehtësira të tjera, por çmimet nuk mund të jenë monopol. Nuk do jenë çmime që do vrasin prodhimin. Ka një praktikë në raportin mes fermerit dhe grumbulluesit. Ose ai raport zgjidhet me një bord të përbashkët, të cilët bien dakord me çmimet e grumbullimit duke llogaritur kostot dhe çdo gjë, ose pastaj shteti do të detyrohet të krijojë bordin e tij. Çmimi do përcaktohen nga borde të përbashkëta ose pastaj do merren praktika të tjera dhe nuk mund të trajtohen fermerët që krijojnë prodhimin me djersë siç trajtohen sot. Merr fund kjo”, tha Berisha.
Lidhur me naftën, Berisha u shpreh se do të ulë koston e saj.
“Nafta, për të gjithë popullatën së pari do ulet çmimi për të gjithë, sepse sot qeveria për litër nafte merr 1.1 euro. Nuk ka qeveri në botë që merr kaq shumë për naftën sa e merr qeveria e Edi Ramës. Ne do vendosim atë barrë fiskale si Kosova dhe Maqedonia. Prandaj ata e kanë naftën 40-50 % më lirë se Shqipëria. Nafta fermerëve do u shitet me koston e saj. E keni marrë vesh ju, miliarderët vijnë e marrin 1 milion litra me jahtin e tyre dhe shtrojnë një drekë për kryeministrin. Janë të mirëseardhur, por kjo ndërpritet. Ato miliona litra do ua japim fermerëve tanë ne”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





