Integrimi nxit studimet europiane, rritet numri i studentëve që zgjedhin programet rreth BE
Përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësimin drejt BE-së, si dhe vëmendja që i kushtohet hapjes së çdo grupkapitulli, ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e numrit të të rinjve që kërkojnë të ndjekin programet në Institutin e Studimeve Europiane (ISE).
Prof. Dr. Migena Leskoviku flet për ofertën akademike, në përshtatshmëri edhe me trajektoren e zhvillimit të këtij procesi.
“Ne jemi përpjekur që ta përditësojmë dhe adoptojmë kurrikulën tonë me zhvillimet nëfushën e integrimit. … është i dedikuar për programe të studimit të ciklit II dhe III, që fokusohen te integrimi europian. Synojmë që studentët të ndjekin kryesisht programe që ofrojnë risi, siç është Masteri Ekzekutiv në fushën e negociatave dhe anëtarësimit në Bashkimin Europian, apo programe të tjera që japin një informacion më të profilizuar që kanë të bëjnë, për shembull, me legjislacionin dhe institucionet e BE-së, fusha e diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare apo politikat e qeverisjes në BE, ku kemi një trend në rritje,” shprehet Prof. Dr. Leskoviku.
Znj. Leskoviku ndalet edhe ndërlidhja me tregun e punës, duke ftuar të rinjtë drejt zgjedhjeve të zgjuara.
“Ne synojmë që pikësëpari të formojmë profesionistë të aftë në fushën e studimeve europiane, të cilët mund të kontribuojnë në fusha të ndryshme, qoftë në administratë, në shoqërinë civile, në sektorin privat,” thotë pedagogia e ISE-së.
Një aspekt tjetër ka të bëjë edhe me fushën e kërkimit shkencor.
“Kemi fituar dhe jemi duke aplikuar disa programe Jean Monnet. Ky është një element i rëndësishëm që e vë theksin te kërkimi shkencor, duke e gërshetuar edhe me aspektin akademik,” sqaron Prof. Dr. Leskoviku.
Më 22 maj pritet që për Shqipërinë të çelet një tjetër grupkapitull, Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse, ku përfshihen fusha si arsimi dhe kërkimi shkencor.
Gazetare: Elda Hasanbelli
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




