Ministria e Arsimit hap thirrjen për anëtarë të Bordit të Administrimit në institucionet e larta publike

Arsim | 1 vit më parë

Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS) ka shpallur zyrtarisht fillimin e procedurës së përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të Administrimit, përfaqësues të ministrisë, në tre institucione publike të arsimit të lartë: Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë, Universitetin Bujqësor të Tiranës, dhe Universitetin e Arteve në Tiranë. Për secilin prej këtyre universiteteve do të përzgjidhet nga një anëtar.

Bordi i Administrimit është organi më i lartë kolegjial administrativ i një institucioni të arsimit të lartë. Ai përbëhet nga shtatë anëtarë me kohë të pjesshme dhe ka si qëllim kryesor garantimin e përmbushjes së misionit të institucionit, si dhe mbarëvajtjen financiare dhe administrative.

Kompetencat kryesore të Bordit përfshijnë garantimin e qëndrueshmërisë financiare dhe përmbushjen e misionit të institucionit, miratimin e planit strategjik të zhvillimit dhe buxhetit vjetor e afatmesëm (me propozim të Senatit Akademik), miratimin e numrit të personelit në të gjitha nivelet.

Bordi i Administrimit bën edhe vlerësimin paraprak të mbylljes, riorganizimit, ndarjes ose bashkimit të institucionit, miratimin paraprak të hapjes, riorganizimit ose mbylljes së njësive përbërëse dhe jep mendim për rregulloren e institucionit dhe miratimin e rregullores financiare.

Bordi përcakton edhe rregullat për shpërndarjen e të ardhurave dhe mbikëqyrjen e burimeve të financimit, bën emërimin dhe shkarkimin e administratorit të institucionit.

Anëtarët përfaqësues të Ministrisë përgjegjëse për arsimin emërohen nga Ministri dhe duhet të jenë ekspertë të njohur nga fushat akademike, menaxheriale, publicistike, ekonomike dhe juridike.

Afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit është data 18 Korrik 2025. Aplikimet mund të bëhen me postë zyrtare ose dorazi në ambientet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Përzgjedhja e kandidatëve do të kryhet nga një Komision “Ad-hoc” i ngritur me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin. Ky komision do të shqyrtojë dokumentacionin brenda 10 ditëve pune nga data e mbylljes së aplikimeve dhe do të hartojë listën e kandidatëve të kualifikuar. Lista e kandidatëve të përzgjedhur do të publikohet në faqen zyrtare të MAS: ëëë.arsimi.gov.al.

Për sa i përket shpërblimit, masa maksimale për anëtarët e Bordit të Administrimit në institucionet e arsimit të lartë publik është 25,000 (njëzet e pesë mijë) lekë në muaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme