Rritet me 537 mln lekë mbështetja financiare për bujqësinë për vitin 2025, sektorët kyç dhe investimet që përfitojnë 2 miliardë lekë deri në 2028

Bujqësi | 1 vit më parë

Ka marrë fuqi ligjore të mërkurën vendimi i qeverisë, që, me propozim të Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, miratoi disa shtesa thelbësore në vendimin nr. 150, datë 6.3.2025, “Për përcaktimin e kritereve bazë, të sektorëve që do të mbështeten dhe të masës së financimit nga fondi i programit për bujqësinë e zhvillimin rural, për vitin 2025”.

Këto ndryshime synojnë rritjen e kapaciteteve prodhuese, përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore, si dhe zhvillimin e agroturizmit dhe akuakulturës.

Ndryshimet kyçe dhe sektorët e mbështetur

Vendimi i ri shton një pikë të re në udhëzimin ekzistues, duke theksuar mbështetjen për investime në disa fusha kyçe. Vendimi zgjeron fushën e mbështetjes. Shtohet një kategori e re mbështetjeje që lidhet me investimet për rritjen e kapaciteteve prodhuese në ferma, përpunimin/tregtimin e produkteve bujqësore, si dhe zhvillimin e agroturizmit dhe akuakulturës. Kjo tregon një qasje më të gjerë ndaj zinxhirit të vlerës në bujqësi dhe sektorët e lidhur.

Pagesa paraprake për përfituesit e investimeve

Një risi e rëndësishme është mundësia e pagesës paraprake deri në 30% të masës së financimit të kontraktuar për përfituesit e masave të mbështetjes së investimeve, pas lidhjes së kontratës. Kjo do të realizohet kundrejt garancisë së pagesës të lëshuar nga shoqëri sigurimi dhe/ose banka, duke lehtësuar ndjeshëm barrën financiare fillestare për fermerët dhe sipërmarrësit.

Vendimi detajon disa kategori investimesh që do të mbështeten, me masa dhe kritere specifike si serrat diellore të reja për perime, luleshtrydhe dhe rrush tavoline, me sipërfaqe minimale 0.2 ha dhe maksimale 2 ha.

Masa e përfitimit: 50% e vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 15 000 000 lekë/ha për serrat e prodhimit të perimeve; 8 000 000 lekë/ha për serrat e prodhimit të rrushit për tavolinë; 4 000 000 lekë/ha për serrat (tunelet plastike) të prodhimit të luleshtrydheve.

Ndërsa për mbjelljet e reja të pemëve frutore, ullinjve, agrumeve dhe vreshtave financimi do të jetë për sipërfaqe nga 0.5 ha deri në 10 ha.

Masa e përfitimit do të jetë 50% e vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 800 000 lekë/ha.

Do të ketë edhe pagesë shtesë për fermerët që instalojnë sisteme ujitjeje me pika, deri në 250 000 lekë/ha.

Për mbrojtjen e prodhimit nga breshëri në blloqet ekzistuese me pemë frutore, agrume dhe vreshta, do të ketë financim për sipërfaqe nga 1 ha deri në 5 ha.

Masa e përfitimit do të jetë 50% e vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 1 500 000 lekë/ha.

Ndërsa për sistemet e ujitjes me pika për pemëtore, ullishte, agrume dhe vreshta ekzistuese, do të ketë financim për sipërfaqe nga 1 ha deri në 10 ha.

Masa e përfitimit do të jetë 50% e vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 250 000 lekë/ha.

Financim do të ketë edhe për ndërtimin e ambienteve të reja për mbarështimin e kafshëve dhe shpendëve, përfshirë pajisjet/sistemet e nevojshme.

Kapaciteti minimal që përfiton financim është 10 lopë, 100 të imëta, 10 dosa, ose 10 000 shpendë.

Masa e përfitimit do të jetë 50% e vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 15 000 000 lekë për subjekt.

Lidhur me mekanizimin dhe Modernizimin e punës në ferma për fermat bujqësore e blegtorale masa e përfitimit do të jetë 50% e vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 5 000 000 lekë për subjekt.

Financim parashikohet edhe për seleksionimin, paketimin dhe etiketimin e perimeve, frutave, rrushit dhe verës, ullirit dhe vajit të ullirit.

Masa e përfitimit do të jetë 50% e vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 7 500 000 lekë për subjekt.

Për investimet në agroturizëm masa e përfitimit do të jetë 50% e vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 15 000 000 lekë për subjekt.

Për koshat e rritjes së peshkut (vetëm për koshat dhe rrjetat) masa e përfitimit financiar është 50% e vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 15 000 000 lekë për subjekt.

Buxheti dhe zbatimi

Fondi total i dedikuar për mbështetjen e këtyre investimeve është 2 miliardë lekë. Për vitin 2025, do të përdoren deri në 537.8 milionë lekë, të akorduara në programin buxhetor 04250, “Zhvillimi rural duke mbështetur prodhimin bujqësor, blegtoral, agroindustrinë dhe marketingun”. Vlera e plotë e fondit do të vijojë të plotësohet në buxhetin e vitit 2026, si pjesë e PBA-së 2026–2028.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është ngarkuar me zbatimin e këtij vendimi.

Këto shtesa pritet të japin një shtysë të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor dhe rural në Shqipëri, duke nxitur investimet dhe modernizimin.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme