Turistët e huaj zbulojnë Gjirokastrën rurale, kureshtje për historinë dhe jetesën në këto zona

Zonat rurale në Gjirokastër po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve të huaj.
Ato nuk janë më vetëm vende kalimtare, por destinacione ku vizitorët zgjedhin të qëndrojnë për të përjetuar jetën e qetë, natyrën dhe historinë vendase.
Krahas bujtinave, një pjesë e turistëve preferojnë kampingun në natyrë, duke u vendosur me automjetet e tyre në vende të hapura, shpesh pranë elementeve historike, si bunkerë apo rrënoja të vjetra.
Një shembull i kësaj prirjeje është çifti nga Polonia, Ania Wochniak dhe Kristof Hudy, të cilët kanë vendosur të kalojnë disa ditë në hyrje të fshatit Arshi Lengo.
“Zakonisht në udhëtimet tona përpiqemi të qëndrojmë larg zonave shumë turistike. Na pëlqen natyra, qetësia dhe ideja për të fjetur pranë vendeve historike si ky bunker është shumë emocionuese për ne. E ndiejmë veten më pranë historisë dhe vendit kur qëndrojmë kështu,” shprehet Ania.
“Kemi lexuar shumë për historinë e Shqipërisë, sidomos për vitet e izolimit dhe ndërtimin e bunkerëve. Është e pabesueshme për ne që sot mund të qëndrojmë pranë njërit prej tyre dhe ta shohim nga afër,” thotë Kristof.
Ania dhe Kristof shprehen se janë të impresionuar nga mikpritja e banorëve dhe nga historia që ndihet në çdo hapësirë të zonave rurale të Shqipërisë.
“Për ne, turizmi nuk është thjesht të shohësh vende, por të përjetosh mënyrën si jetojnë njerëzit. Ndaj nuk zgjodhëm hotele apo qytete të mëdha. Këtu në natyrë ndihesh më i lidhur me vendin,” shprehet Ania.
“Kjo është hera jonë e parë në Shqipëri dhe nuk e prisnim që njerëzit të ishin kaq të ngrohtë dhe mikpritës. Në fshatrat si ky ku jemi tani ndihesh sikur je pjesë e komunitetit, edhe pse je i huaj. Na kanë përshëndetur, na kanë ofruar ndihmë. Kjo është shumë prekëse për ne,” shton Kristof.
Për ta, ky lloj udhëtimi është më i veçantë se ai tradicional. Prania e turistëve të tillë përbën një mundësi reale për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në fshatra, ku përvoja dhe kontakti me natyrën janë vlera që po vlerësohen gjithnjë e më shumë.
Gazetare: Boralda Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





