Certifikata pa afat për udhërrëfyesit turistikë, Kumbaro: Lehtësojmë burokracitë, nxisim të rinjtë që promovojnë turizmin

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të udhërrëfyesve turistikë për shpërndarjen e 700 certifikatave të rinovuara pa afat, një hap i rëndësishëm për të lehtësuar burokracitë dhe për të përmirësuar procesin e certifikimit për këtë profesion në industrinë e turizmit.
Ky ndryshim ka për qëllim të përgjigjet më mirë kërkesës në rritje për udhërrëfyes turistikë, një sektor që ka pësuar një zhvillim të jashtëzakonshëm në katër vitet e fundit, duke u rritur pothuajse tetë herë.
“Deri më sot, kemi 932 udhërrëfyes të certifikuar, përfshirë 112 udhërrëfyes të specialitetit të veçantë, 691 udhërrëfyes turistikë kombëtarë dhe 120 udhërrëfyes lokalë. Ky numër i shtuar gati tetëfish në katër vitet e fundit është dëshmi e zhvillimit të tregut të turizmit dhe mundësive të mëdha për krijimin e vendeve të punës dhe mbështetje për ekonominë vendase,”, deklaroi Kumbaro.
Ministrja Kumbaro e vlerësoi këtë hap si një mundësi për të rinjtë që duan të ndërtojnë një karrierë në turizëm dhe për të promovuar vlerat natyrore, ekoturizmin dhe turizmin në zonat e mbrojtura.
“Nga dy vjet që ishte afati i certifikatave, tani po e kalojmë këtë kufi dhe udhërrëfyesit nuk do të kenë më nevojë të rinovojnë periodikisht certifikatat. Ky ishte një kërkesë e vazhdueshme e sektorit, dhe sot kemi shpërndarë 700 certifikata pa afat, që janë një shpërblim për angazhimin dhe punën e palodhur që keni bërë,” – shtoi ajo.
Gjithashtu, Kumbaro njoftoi se tashmë ekzistojnë 15 qendra të akredituara që ofrojnë programe trajnimi për formimin e udhërrëfyesve turistikë kombëtarë, lokalë dhe të specialiteteve të veçanta, duke e bërë më të lehtë për profesionistët e rinj që të angazhohen në këtë industri në rritje.
Ky vendim është një hap tjetër përpara në forcimin e industrisë së turizmit në Shqipëri dhe mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm të saj.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





