UNESCO vlerëson progresin e Shqipërisë në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore

Ministri Blendi Gonxhja bëri të ditur të shtunën se ka një seri lajmesh pozitive për vendin tonë nga UNESCO, pas Sesionit të 47-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore.
Delegacioni shqiptar paraqiti progresin e arritur në menaxhimin dhe mbrojtjen e katër pasurive të çmuara shqiptare të përfshira në Listën e Trashëgimisë Botërore: Parku Kombëtar i Butrintit, Qendrat Historike të Beratit dhe Gjirokastrës, si dhe Rajoni i Liqenit të Ohrit, një pasuri e përbashkët me Maqedoninë e Veriut.
Komiteti miratoi tre projekt-vendime, të cilat konfirmojnë angazhimin dhe përparimin e Shqipërisë në ruajtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të këtyre pasurive. Vlerësimet specifike përfshinin përparimin për Butrintin në përmirësimet e kuadrit të menaxhimit dhe planeve strategjike, investimet në infrastrukturë, monitorimin e territorit, si dhe projektet kërkimore e restauruese në bashkëpunim me partnerë vendas dhe ndërkombëtarë.
Për Beratin dhe Gjirokastrën ku u vlerësua ruajtja e integritetit historik dhe arkitektonik, përfshirja e komuniteteve lokale, si dhe përpjekjet për të balancuar zhvillimin turistik me mbrojtjen kulturore.
Lidhur me rajonin e Liqenit të Ohrit, Komiteti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar me Maqedoninë e Veriut për mbrojtjen e kësaj pasurie natyrore dhe kulturore. Progresi i shënuar vitet e fundit në planifikim dhe administrim u vlerësua gjerësisht.
Një qëndrim i përbashkët u paraqit nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (MTM) për Rajonin e Liqenit të Ohrit. Ky qëndrim theksoi përkushtimin për një menaxhim të integruar, forcimin e koordinimit ndërinstitucional dhe avancimin e bashkëpunimit me partnerët institucionalë të Maqedonisë së Veriut.
Që prej përfshirjes së pjesës shqiptare të Liqenit të Ohrit në Listën e Trashëgimisë Botërore në vitin 2019, ICOMOS kishte propozuar vendosjen e gjithë pasurisë në listën e “rrezikut”. Kjo u bë për të theksuar sfidat e trashëguara që nga shpallja si Pasuri Botërore e pjesës maqedonase, si dhe nevojën për ndërhyrje të menjëhershme, veçanërisht në aspektet mjedisore. Megjithëse natyra ndërkufitare e kësaj pasurie botërore ka paraqitur një sfidë komplekse, falë një përkushtimi të koordinuar gjatë viteve të fundit, janë shënuar arritje të rëndësishme në administrim, planifikim dhe zhvillim të qëndrueshëm. Veçanërisht aspektet kulturore kanë njohur një rivlerësim dhe ruajtje shumë më efikase, duke sjellë vlera të shtuara për pasurinë botërore.
Ministri Gonxhja theksoi se të tre vendimet e miratuara nga KTB janë një konfirmim domethënës se “na pret ende shumë punë përpara dhe sfida të reja për t’u përballur me përkushtim dhe vizion.”
Ai shtoi se dinamika e zhvillimeve ekonomike dhe shoqërore, veçanërisht rritja e turizmit kulturor, kërkon angazhim maksimal dhe profesionalizëm të palëkundur nga të gjitha institucionet, përfshirë autoritetet vendore, institucionet kërkimore dhe të gjithë partnerët publikë e privatë të trashëgimisë kulturore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





