Murtaja, situata drejt përmirësimit në Shkodër. Preçi: Asnjë rast i ri në qark në javët e fundit
Në qarkun e Shkodrës, ku u shfaq për herë të parë sëmundja e murtajës së ruminantëve të vegjël, situata po shkon drejt një përmirësimi të qëndrueshëm. Pas konstatimit të rastit të tretë të infeksionit tre javë më parë, në një fermë në Malësinë e Madhe, nuk janë regjistruar më raste të reja në fermat e tjera të qarkut. Kjo është konfirmuar nga shërbimi veterinar në Shkodër.
“Nuk kemi më vatra të reja, janë kontrolluar të gjitha fermat dhe kontrolli është shtrirë në të gjithë qarkun e Shkodrës”, u shpreh specialisti i Shërbimit Veterinar Shkodër, Mark Preçi.
Për të mbajtur situatën nën kontroll, thelbësor është bashkëpunimi mes institucioneve dhe fermerëve, si dhe respektimi nga ana e tyre i të gjitha masave të vendosura për të parandaluar përhapjen e infeksionit. Sipas specialistëve, kjo situatë ka ndikuar edhe në rritjen e ndërgjegjësimit të fermerëve për të mos futur në fermat e tyre kafshë të pakontrolluara.
“Kemi një bashkëpunim me fermerët dhe shërbimin veterinar, pasi janë shtuar kontrollet dhe fermerët janë ndërgjegjësuar se futja e kafshëve me origjinë të pa certifikuar është kërcënim serioz për të gjithë tufën”, tha ai.
Rasti i parë i murtajës së ruminantëve të vegjël në qarkun e Shkodrës u konstatua më 4 qershor në fshatin Doman të Postrribës. Po gjatë këtij muaji, u identifikuan edhe dy vatra të tjera, njëra në një fermë në fshatin Trush dhe tjetra në Shkrel të Malësisë së Madhe. Në total, numri i bagëtive të asgjësuara në këto tre vatra ka arritur në rreth 500 krerë.
Gazetar: A.Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




