“Te Uçkat si dikur“, plazhi që ruan kujtimet e pogradecarëve

Turizëm | 1 vit më parë

Këtë fundjavë, në plazhin më të vjetër të Pogradecit, te “Uçkat”, u rikthyen kujtimet dhe lojërat e dikurshme të liqenit, fëmijët kapën peshk me vazo, të rinjtë bënë gara noti, ndërsa pushuesit panë se si jetonte Pogradeci në vitet e shkuara. Pikërisht ky vend ka qenë edhe skena e xhirimeve të filmit “Mëngjese Lufte”. Rita Topulli, një pogradecare e vjetër, tregon me mall fëmijërinë e saj në këtë breg liqeni.

“Që në mëngjes e deri në darkë si rosat rrinim, zinim peshk me vazo, i hidhnim i mbushnim prap. Ky ishte vendi me i bukur që ekzistonte atë kohë“, u shpreh Topulli.

Një pushuese tregon se për herë të parë e provoi këtë mënyrë tradicionale peshkimi, ashtu siç e kishte parë nënën e saj dikur kur ishte e vogël.

“Asnjëherë nuk kisha kapur kështu, kisha parë mamin tim, ishte argëtuese e u bashkova e unë me fëmijët“, tha një pushuese.

Liljana Busho dhe Sotiraq Iftica, rekordmenë të notit dhe trajnerë të brezave, shprehen se sporti i notit po i rikthehet qytetit, ndërsa të rinjtë po e përqafojnë sërish këtë traditë të hershme pogradecare.

“Me riktheu kohën e 58 vite më parë, kam nostalgji për fëmijët, gjynah qe vend mos ketë notarë, duhet investim i madh“, tha Busho.

“Mundohemi kemi disa grupe moshash. Është rikthyer noti tashmë, bëjmë dy aktivitete dhe maratonën e Notit për nder të Agron Ruvines“, u shpreh Iftica.

Në aktivitet u prezantua një ekspozitë e rrallë historike, me foto të realizuara nga fotografë francezë dekada më parë dhe fotografi pogradecar Misto Cici, të cilat sjellin atmosferën e plazhit të “Uçkave” në vitet e largëta të një shekulli më parë.

“Kjo ekspozitë lidhet me këtë plazh, foto të bërë gjatë pushtimit francez por e fotografë pogradecare si Misto Cici, e sjell këtë plazh ashtu siç ka qenë një shekull më parë“, theksoi drejtori i Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore, Ledjan Zeqollari.  

Plazhi i “Uçkave” është ri jetësuar vitet e fundit, zonës iu shtua një atelie natyrore me fotot e 21 filmave të xhiruar në Pogradec bashkë me instilacionin e rrjetave të peshkatarëve pogradecarë.

Gazetare: K. Koçi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme