Shkolla verore në Shkodër nxit kreativitetin dhe përfshirjen aktive të të rinjve
Mbi 50 të rinj të moshës 14 deri në 20 vjeç nga qyteti i Shkodrës dhe rrethinat morën pjesë gjatë muajit korrik në kurset e shkollës verore të organizuar në Qendrën Rinore “Atelie”.
Kjo nismë u realizua nga Drejtoria e Shërbimit Social pranë Bashkisë Shkodër, në bashkëpunim me Drejtorinë e Menaxhimit të Qendrave për Hapje dhe Dialog. Pjesëmarrësit përfituan trajnime falas dhe alternativa të vlefshme në disa fusha krijuese dhe zhvillimore.
“Edhe pse është verë, është ideja që kjo qendër është e hapur gjithë kohën. Rinia duhet të kalojë një kohë tjetër cilësore, për të qenë bashkë, për të ndërvepruar njëri me tjetrin, për të marrë pjesë të edukimit të përditshëm, ‘life skills’, që i ndihmojnë në jetën e përditshme. Ne jemi këtu për t’ua ofruar këto mundësi,” shprehet Arlinda Kruja, drejtuese e Shërbimit Social në Bashkinë Shkodër.
Pas përfundimit të kësaj faze, angazhimi aktiv i të rinjve do të vijojë edhe gjatë muajit gusht përmes veprimtarive të tjera me fokus edukimin joformal, artin dhe bashkëpunimin mes të rinjve.
“Në muajin gusht na presin aktivitete të tjera. Më 12 gusht, që është Dita Ndërkombëtare e Rinisë, do të kemi ‘Youth Wave’ për të dytin vit radhazi, koncert i rinisë, ku do të promovohen talentet e reja, por në të njëjtën kohë do të kemi edhe të ftuar specialë,” tregon znj. Kruja.
Qendra Rinore “Atelie” në Shkodër është tashmë një pikë referimi për të rinjtë, duke ofruar vazhdimisht mundësi trajnimi, përfshirjeje dhe zhvillimi në fusha të ndryshme krijuese e sociale.
Gazetar: Adrian Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





